2006-07-19 17:57:50

Nga Vale D’Aosta, Papa lutet për paqen në Lindjen e Mesme


(19.7.2006 RV)Nga Lë Kombë, ku vijon pushimet verore, Benedikti XVI lutet e u kërkon edhe besimtarëve të luten për paqen në Lindjen e Mesme.
Ati i Shenjtë, duke ndjekur me vëmendje ngjarjet në Lindjen e Mesme, shprehu shqetësimin e tij të thellë për krizën izraelito-libaneze. Mbrëmë, duke u kthyer nga shëtitja në kodrën Gran San Bernardo, Papa iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve lidhur me krizën në Lindjen e Mesme. Ndërmjet gazetarëve ishte edhe Salvatore Maca, i dërguar i gazetës “Avvenire” në Lë Kombë, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Pyetja që iu drejtua Papës është: “Ç’duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare në këtë situatë kaq dramatike? E Papa u përgjigj se është plotësisht dakord me komunikatën e djeshme të G.8-es e se nuk ka gjë tjetër për të shtuar, përveç theksimit të nevojës për t’u lutur për paqen në Lindjen e Mesme në një çast kaq të vështirë.
Pyetje: - Thuhet se Papa po pushon në Lë Kombë, por me sa duket ky është pushim mjaft i trazuar, plot shqetësim e vëmendje të vazhdueshme për krizën në botë...
Përgjigje: - Sigurisht, tregon vëmendje të vazhdueshme; e kjo dëshmon se të pushosh nuk do të thotë të shkëputesh nga bota.
Pyetje: - Dje Papa bëri një ekskursion të ri. Ndonjë hollësi?
Përgjigje: - Ishte vetë Papa që, duke u rikthyer në Lë Kombë, tha se kishte shkuar të vizitojë kuvendin e motrave benediktine në Shatò Verdan, ku foli për zgjedhjen e emrit të tij papnor, Benedikt, duke kujtuar Shën Benediktin e Norçës e Benediktin XV. Pastaj, nga Shatò Verdan shkoi në kuvendin e kodrës Gran San Bernardo. Ndeji me kanonikët, tha me ta uratët e mbrëmjes e pastaj u nis në këmbë. Turistët, që mund të kishin pritur gjithçka, veç takimit me Papën në orën 18.30 të pasdites mbi Kodrën e Madhe, u çuditën pa masë kur e panë duke vizituar vendin e strehimit të qenve të famshëm të Shën Bernardit, të cilët gjatë dimrit shpëtojnë shtegtarët që i ze në mes të alpeve, gjumi i dëborës.







All the contents on this site are copyrighted ©.