2006-07-19 18:03:11

Liban: dita e tetë e luftës. Shumë të vrarë gjatë sulmeve izraelite. Raketat e Hezbollahëve qëllojnë territorin hebraik.


(19.7.2006 RV)Ndërsa në Izrael qeveria njofton një sulm pa kufij kohorë e qeveria libaneze është gati të përdorë ushtrinë, në terren numrohen dhjetra të vdekur.
Në plan të parë, kriza në Lindjen e Mesme: Izraeli e hezbollahët vijojnë të godasin njëri-tjetrin e ta thellojnë më tej tensionin në zonë. Për herë të parë aviacioni izraelit bombardoi lagjen e krishterë të Beirutit. Në Zonën jugore të vendit janë vrarë dhjetra civilë. Ushtria izraelite ka sulmuar edhe pozicionet e përdorura nga luftëtarët libanezë për hedhjen e raketave kundër veriut të Izraelit. Numri i libanezëve të vrarë ka arritur në 250, ndërsa 750 mijë vetë janë shpërngulur nga tmerri i bombardimeve. Sipas burimeve izraelite, në Liban janë goditur mbi 1000 objektiva dhe janë shkatërruar 180 pozicione të përdorura nga hezbollahët për hedhjen e raketave. Në frontin tjetër janë vrarë dy ushtarë izraelitë. Disa raketa kanë goditur qytetin izraelit Haifa, duke plagosur një numër të madh njerëzish.
Në planin politik, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe sigurisë në Evropë, Havier Solana, i ka kërkuar Izraelit të shmangë rrezikun e goditjes së popullsisë civile. Ndërsa qeveria izraelite deklaroi se sulmet mbi Libanin do të vijojnë pa kufizime kohore. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, veç të tjerash, theksoi se rrëmbimi i dy ushtarëve izraelitë nga ana e hezbollahëve, që pati si pasojë përgjigjen ushtarake të shtetit hebraik, “është bërë në përkim me interesat e Iranit për të larguar vëmendjen ndërkombëtare nga çështja bërthamore iraniane”. E së fundi, ministri libanez i informacionit pohoi se Libani do t’i përgjigjet ushtarakisht sulmit izraelit. Por, sipas vëzhguesve, kjo hamendje duhet shikuar si përpjekje e disa përfaqësuesve të politikës libaneze e jo si opcion taktik e ushtarak. Kujtojmë se Libani ka 70 mijë ushtarë, përgatitja dhe pajisjet e të cilëve nuk mund të krahasohen me atë të Hezbollahëve.
Situatë dramatike kjo, në cilën zhvillohet veprimtaria e ethshme e vullndetariatit për t’u çuar ndihma popullsive të pambrojtura. Ja ç’na thotë në telefon saleziani Don Kazimir Gajovi, drejtor i shkollës teknike ‘Don Bosko’ të Beirutit:
Përgjigje: - Situata është shumë e nderë e ne presim më të keqen. Të gjithë të huajtë po largohen nga Libani. Dhjetra autobusë udhëtojnë me shpejtësi drejt kufirit të veriut me Sirinë, i vetmi që është i hapur. Shenja të qarta se konflikti nuk do të përfundojë aq shpejt, sa do të dëshironim. Jemi para një të panjohure e nuk e dimë ç’do të ndodhë!
Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare po bën përpjekje të ethshme për t’i dhënë fund ndeshjes së armatosur. Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të paraqesë një paketë propozimesh për të bërë të heshtin armët sa më shpejt që të jetë e mundur. Kështu u shpreh dje sekretari i OKB-s Kofi Anan në Bruksel, propozim që u ripohua nga i dërguari i tij Larsen, në Jeruzalem.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.