2006-07-18 18:26:00

Lajme shoqërore-politike: 18 korrik


(18.7.2006 R.V.) Me gjithë thirrjet që mbarë bashkësia ndërkombëtare po u drejton izraelitëve dhe hezbollahëve, luftimet në kufirin izraelo-libanez hynë sot në ditën e shtatë. Në luginën e Bekasë, si pasojë e sulmeve të sotme të aviacionit izraelit u vranë tre shtetas jordanezë. Po ashtu këmbësoria izraelite hyri në tokën libaneze për të krijuar “brezin e sigurisë”, aq të nevojshëm për të shmangur sulmet e hezbollahëve. Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia që ushtria e Tel-Avivit të zgjerojë veprimet e veta duke marrë nën kontroll të plotë krejt Libanin jugor, si në 1982-in. Por as hezbollahët nuk heqin dorë nga sulmet me katjusha. Për më tepër ata refuzuan edhe kërkesën për armëpushim bërë nga ndërkombëtarët duke e cilësuar si “kusht izraelit”.


Mbi krizën e rëndë në Lindje të Mesme dhe situatën e të krishterëve maronitë në Liban në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Imzot Beshara Rai, kryeipeshkëv i Bibliosit, qytet ky që ditët e fundit u bombardua nga izraelitët.




Përgjigje: Bëhet fjalë për një luftë apokaliptike. Ajo që po ndodh nuk i respekton fare normat e së drejtës ndërkombëtare apo të drejtën e sovranitetit. Për fat të keq Izraeli po i njeh vetes të drejtën e dhunimit të sovranitetit të një vendi dhe po i bombardon të gjithë. Kjo nuk ka të bëjë fare me konfliktin e tij me hezbollahët. As ne nuk e mbështesim lëvizjen e hezbollahëve që nuk pyesin as për qeverinë as për popullin. Hezbollahët kanë zgjedhur luftën dhe ne e dimë mirë se udhëhiqen nga Irani dhe Siria. [...] Meqë po flas me Radio Vatikanin, do të dëshiroja që në emër të popullit libanez dhe të të gjithë Kishës, të shpreh mirënjohjen tonë ndaj Atit të Shenjtë që na kujtoi, si dhe për uratën e Tij.

Konflikti në Lindje të Mesme ndikoi edhe në takimin e Grupit të 8-es, që përfundoi dje në Shën Pjetërburg. Pas zhvillimeve të fundit, vëmendja e punimeve, nga zhvillimi ekonomik i jugut të botës, u zhvendos tek luftimet në Liban dhe Izrael. Në dokumentin final të këtij takimi u hodh propozimi për krijimin e një force ushtarake asnjanëse për mbajtjen nën kontroll të situatës në Lindje të Mesme, mendim ky që menjëherë u hodh poshtë nga Tel-Avivi. Veçanërisht të pakënaqura nga takimi i Shën Pjetërburgut mbetën vendet afrikane, që kishin kërkuar një përkrahje më të madhe të G 8 –es për Afrikën. Dokumenti final i G 8-es nuk la pa përmendur edhe ruajtjen e përbërjes shumetnike të Kosovës duke u tërhequr vëmendje shqiptarëve se duhen zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare në lidhje me pakicat etnike.


Pas afro 30 vjetësh luftë, qeveria e Angolës dhe rebelët separatistë të Frontit Çlirimtar të Kabindës, zonë naftëmbajtëse, falë ndihmës së Bashkimit Afrikan nënshkruan dje në Brazavil marrëveshjen e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.