2006-07-18 18:25:14

Duke shfletuar kalendarin e 18 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën e Shën Federikut të Utrehtit.


(18.7.2006 RV)Jeta e shenjtit, e shkruar nga Otberti në shekullin XI, rreth dy shekuj pas vdekjes së tij, nuk ka kurrfarë vlere. “Fide minime digna”- kështu e gjykojnë, në komentin e Martriologut Romak, Bollandistët, siç quhen studiuesit e njohur jezuitë belgë të jetës së shenjtorëve. Dihet me siguri se ishte i pranishëm në Koncilin e Maincit në vitin 829. Kujtohet, më pas, në një letër të datuar 26 dhjetor 833 si dhe në jetën e Shën Odulfit, të cilin e kishte dërguar të ungjillëzonte Frizonët. Rabano Mauro i kushtoi, në vitin 834, komentin e librit të Jozuehit dhe shkroi një karme, lloj kënge, për nder të tij.
Sipas tregimit mbi jetën e Shenjtit, duhet të ketë lindur rreth vitit 781 nga një familje me origjinë angleze. Nuk është e qartë në se lindi në Angli apo në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes së Rikfredit, ndërmjet viteve 825 e 828, falë edhe mbështetjes së perandorit Lotari, luftoi kundër paganizmit, që kishte rilindur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër zakonit të martesave ndërmjet njerëzve me lidhje të afërta gjaku. Pati guximin ta qortonte perandorin Ludoviku i Përshpirtshëm, sepse ishte martuar me Juditën, duke e pasur ende gjallë gruan e parë, Irmingardën. E këtë e pagoi me kokë. Perandori nuk ngurroi ta mbyste ipeshkvin më 18 korrik 838.
U varros në kriptën e Shëlbuesit në Utreht dhe nisi menjëherë të nderohej si martir në disa krahina të Vendeve të Ulta e në Fuldë të Gjermanisë.
Në vitin 1362 kafka e Shenjtit, e ndarë nga trupi prej ipeshkvit Folkert, u vendos në një relikuar ari e argjendi dhe u ekspozua para besimtarëve. Gjatë Reformës u shpëtua nga një shtëpi private ku, sipas bollandistit Syipers ruhej akoma në fillim të shekullit XVIII. E që në atë kohë nuk dihet më asgjë për pjesën tjetër të trupit të shenjtit.
Emri i Federikut u shkrua në Martiriologun Romak nga Molano më 18 korrik. Kremtohet, prandaj, vit për vit në këtë datë.







All the contents on this site are copyrighted ©.