2006-07-17 19:33:27

Lajme shoqërore-politike: 17 korrik


(17.7.2006 R.V.)Takimi i Grupit të 8-shes që u mbyll sot në Shën Pjetërburg miratoi një dokument përfundimtar prej gjashtë faqesh. Të shumëllojshme temat kryesore, që shkojnë nga energjia te situata në Nagorni-Karabah e në Lindje të Mesme, nga arsimi tek ekonomia e globalizimi. Në këtë dokument nënvizohet rëndësia e “një arsimimi modern për t’u bërë ballë sfidave të globalizimit” si edhe nismat që duhen ndërmarrë “për të luftuar përhapjen e epidemive”. Këtë herë në punimet e Grupit të 8-es morën pjesë edhe vendet në zhvillim të hovshëm si Kina, Brazili, Meksika, India, dhe Afrika e Jugut. Edhe pse u vlerësua si i suksesshëm takimi nxori në pah qëndrimet e ndryshme përsa i përket situatës në Lindje të Mesme. Kështu sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan i kërkoi izraelitëve dhe hezbollahëve armëpushim të menjëhershëm, ndërsa presidenti amerikan Xhorxh Bush pasi theksoi të drejtën e Tel-Avivit për t’u mbrojtur, shtoi se hezbollahët, të ndihmuar nga Siria dhe Irani, po përpiqen të pengojnë procesin e paqes.


Megjithë angazhimin e forcave ndërkombëtare, në Irak vijon gjakderdhja. Atentati i sotëm në tregun e Mahmudijes, në jug të Bagdadit, shkaktoi 55 të vdekur dhe me dhjetra të plagosur. Gjithashtu dje pati 28 të vrarë nga një sulm terrorist me kamikaze në qytetin e Tuz Kurmatit në veri të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.