2006-07-17 17:34:35

Duke shfletuar kalendarin e 17 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën e Shën Aleksit, lypës.


(17.7.2006 RV))Jeta e Shën Aleksit mund të përshkruhet me pak fjalë. E pasurojnë vetëm tregimet e kohëve të lashta me tingëllim legjendar. Për figurën e Aleksit kanë ardhur deri në kohët tona tri variante gojëdhënash: gojëdhëna siriake, gojëdhëna greke e gojëdhëna latine, që e kanë shndërruar jetën e thjeshtë e të përvujtë të një njeriu të Zotit, lypës e asket i shekullit V, në një tregim të pasur me ngjarje, që shërbeu më pas si burim për krijimin e shumë veprave artistike të frymëzuara, duke filluar nga bazilika romake me emrin e tij, tek shtatoret, afresket, veprat teatrore e poetike, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
Gojëdhëna siriake, që u krijua e para, rreth viteve 450 - 475, dorëshkrimi më i lashtë i së cilës i takon shekullit V, flet për një djalosh të ri, banues në Romën e Re, dmth në Kostandinopojë, i cili natën e dasmës së tij iku papritmas, hipi mbi një anije e u zhduk përtej horizonteve, drejt viseve të largëta e të panjohura të Lindjes.
Si arriti në Edesë, qytet i Sirisë së sotme, i cili në shekullin IV-V ishte qendër e njohur e kulturës së krishterë, (kujtojmë shkollën e Edesës) e kështu edhe vijoi deri në shekullin VII kur kaloi në duart e myslimanëve, nisi të lypte lëmoshë bashkë me lypës të tjerë, që shtrinin duart te dera e Kishës.
Atë që mblidhte gjatë ditës, në mbrëmje ua shpërndante të varfërve të qytetit. Jeta e tij ishte aq asketike, sa nisi të thirrej “Njeriu i Zotit”. Njerëzit që i ati i kishte çuar disa herë në Edesë për ta gjetur e për ta kthyer në shtëpi, si djalin plangprishës, nuk munden të njihnin, në figurën e lypsarit të rreckosur, trashigimtarin e njërës nga familjet më të pasura të botës lindore.
Pas 17 vjet jete të tillë, kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, lypësi i ri i tregoi se kush ishte sakrestanit të Kishës, i cili të nesërmën e gjeti të vdekur në prag, aty ku ulej çdo ditë për të lypur.
Sakrestani vrapoi tek ipeshkvi i Rabulës (412-435) dhe iu lut të mos e varroste në varrin e përbashkët të të varfërve trupin e këtij njeriu të jashtzakonshëm. Gojëdhëna tregon se ipeshkvi shkoi menjëherë në varrezë për ta marrë trupin e lypësit, por gjet vetëm leckat. Trupi ishte zhdukur.
Sipas gojëdhënës latine, Aleksi, pasi braktisi familjen e vet patrice në Romë, i kalonte netët nën një shkallë në kodrën romake të Aventinit. Në këtë vend, në vitin 1217, Papa Onori III i kushtoi një Kishë, e cila edhe sot e kësaj dite zgjidhet në mënyrë të posaçme për të kremtuar martesa.
Varianti greko–romak tregon për kthimin e tij në Romë ( kthim që paraqitet ndër piktuart e Kishës së poshtme pranë bazilikës së Shën Klementit). Këtu Aleksi jetoi deri në vdekje si lypsar e nuk mundi ta njihte askush. Qe Papa Inoçenci ai që u tregoi prindërve ku ndodhej i biri. E ata vrapuan ta takonin, por e gjetën në fill të mortjes. E pikërisht kjo skenë pasqyrohet më shumë se të gjitha të tjerat ndër artet figurative e jo më pak, në letërsi. E gjithnji sipas gojëdhënës, bazilika me emrin tij s’është tjetër, veçse Kisha ku Aleksi do të martohej e ku ruhet edhe një fragment i madh i shkallës nën të cilën vendosi të jetonte, larg rehatisë së shtëpisë patrice, pranë atyre që kishin nevojë për shembull ungjillor!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.