2006-07-14 19:09:16

Filloi mbrëmë në Manaus të Brazilit, Simpoziumi "Fe, Shkencë, Ambient" për shpëtimin e Amazonës.


(14.7.2006 RV)Takimi organizohet dhe promovohet nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Shenjtëria e Tij Bartolomeu I, i cili kryeson punimet, që do të vijojnë deri më 20 korrik.
Marrin pjesë më se 200 specialistë, personalitete fetare, shkencëtarë, ambientalistë dhe përfaqësues të qeverive nga mbarë bota, të cilët e filluan veprimtarinë mbi dhjetë anije që nisën lundrimin mbi ujërat e lumit vigan. Ndërmjet tyre, përfaqësuesi i Kishës katolike, kardinali Etçegarai. Të pranishëm edhe delegatë të Kishës vendase.
Objektivi i përbashkët është të shqyrtohen sfidat ambientale përballë rrezikut të shpyllëzimit që vërehet në të gjithë rrjedhën e Amazonës dhe të propozohet një etikë ekologjike që e respekton ujin, pasuri e përbashkët gjithnjë më e rrezikuar. Pra Simpoziumi i kushtohet kryesisht Amazonës, mushkërisë së fundit të madhe të tokës, sistemit të saj vigan lumor dhe popullsive që banojnë në brigjet e lumit.
Edhe një herë Shenjtëria e Tij, Bartolomeu I, në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, po tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare mbi rezervat ujore të Planetit. E këtë po e bën drejtpërdrejtë nga lumi, pellgjet e të cilit përmbajnë një të pestën e ujit të ëmbël botëror. Ja pse Patriku, duke njoftuar fillimin e simpoziumit, e quajti Lumin e Amazonës “guri më i çmuar i kurorës së Brazilit”.
Benedikti XVI u uroi punë të mbarë pjesëmarrësve në Simpoziumin për mbrojtjen e gjithësisë, në përfundim të audiencës së 5 korrikut të kaluar.
“ Uroj – tha Papa - që kjo nismë e rëndësishme, e organizuar nga Patriku i Kostandinopojës Bartolomeu I, të kontribuojë në promovimin e respektit gjithnjë më të madh për natyrën, që Zoti ua besoi duarve punëtore e plot përgjegjësi të njeriut”.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.