2006-07-14 19:03:34

Dialogu i sinqertë ndërmjet palëve, për të dalë nga kriza në Lindjen e Mesme: kështu u shpreh kardinali Sodano në mikrofonin e Radio Vatikanit. Selia e Shenjtë dënon sulmin kundër Libanit.


(14.7.2006 RV)RealAudioMP3 Papa dhe Selia e Shenjtë ndjekin me vemendje të posaçme tensionimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme dhe ripohojnë se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza, është dialogu i sinqertë i palëve në konflikt. Këtë qëndrim e shprehu kardinali Sodano, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili sot paradite dha këtë deklaratë para mikrofonit të Radio Vatikanit:
Lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme janë shqetësuese. Ati i Shenjtë Benedikti XVI dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij i ndjekin me vëmendje të veçantë episodet e fundit dramatike, që krijojnë rrezikun e një konflikti me pasoja ndërkombëtare. Ashtu si në të kaluarën, edhe Selia e Shenjtë i dënon si sulmet terroriste të njërës palë, ashtu edhe raprezaljet ushtarake të palës tjetër. E drejta e mbrojtjes nga ana e një shteti, nuk e përjashton respektimin e normave të së drejtës ndërkombëtare, sidomos përsa i takon mbrojtjes së popullsive civile. Selia e Shenjtë dënon posaçërisht sulmin kundër Libanit, Komb i lirë e sovran dhe siguron se ndjehet pranë popullsive, që kanë vuajtur shumë për mbrojtjen e pavarësisë së tyre. Edhe një herë duket qartë se e vetmja rrugë e denjë për qytetërimin tonë, duhet të jetë ajo e dialogut ndërmjet palëve në konflikt.
Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, vendosi të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Lindjen e Mesme për të ndërmjetësuar në krizën ndërmjet Izraelit e Libanit. Njoftimin e dha dje pasdite vetë Kofi Anan, gjatë një konference shtypi në Fiumiçino, pranë Romës. Të ndjekim shërbimin e Aleksandër Gjizotit, i dërguar i Radios sonë në konferencë:
Kombet e Bashkuara shumfishojnë përpjekjet për të zgjidhur krizën dramatike në Lindjen e Mesme. Nga Roma, Kofi Anan njofton për dërgimin e një delegacioni të nivelit të lartë në zonën e konfliktit, në përpjekjen për të frenuar thellimin e krizës ndërmjet Libanit e Izraelit. Të dërguarit e Ananit, që shprehu shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit, do të shkojnë në Kairo për t’u takuar me qeverinë egjiptiane dhe me ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe. Prej andej, do të kalojnë në Izrael, në territoret palestineze të pushtuara e më pas në Liban e në Siri. Anani, që dënoi çdo akt luftarak, vuri theksin mbi vuajtjet e popullatës së pafajshme civile si dhe mbi rrezikun e zgjërimit të luftës. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje që të shmanget rreziku i daljes së situatës nga kontrolli dhe kujtoi gjendjen e rëndë humanitare, në të cilën ndodhen palestinezët në Rripin e Gazës, duke ripohuar se edhe në situata lufte, nuk duhen sulmuar objektivat civile dhe infrastrukturat.







All the contents on this site are copyrighted ©.