2006-07-13 19:28:12

“Njeriu është zemra e paqes”- e kjo është edhe tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për Ditën e 40-të Botërore të Paqes që, sipas traditës, do të kremtohet më 1 janar 2007.


(13.7.2006 RV)Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit, duke shpjeguar edhe arsyet e zgjedhjes së kësaj teme.
Benedikti XVI shpreh bindjen se respekti për dinjitetin e njeriut është kusht themelor për paqen në gjirin e familjes njerëzore. Dinjiteti njerëzor – lexohet në notën e Sallës së Shtypit, është vula me të cilën vetë Zoti e vulosi njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës së tij, është shenja e fatit të njerëzimit, themeli i dashurisë për Zotin e për të afërmin. Vetëm me vetëdijen e dinjitetit të mbinatyrshëm të çdo burri e të çdo gruaje – vijon komunikata – familja njerëzore është në shtegun që çon drejt paqes dhe bashkimit me Hyjin. Prandaj mund të themi se paqja është në rrezik, kur nuk respektohet dinjiteti njerëzor dhe kur bashkëjetesa shoqërore nuk kërkon të mirën e përbashkët.
Sot - vijon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë– ndoshta përmes forcës bindëse dhe mjeteve më efikase sesa në të kaluarën, dinjiteti njerëzor kërcënohet nga ideologji të rrezikshme, sulmohet nga përdorimi i shtrembër i shkencës dhe i teknikës, kundërshtohet nga stile të përhapura jete, që nuk pajtohen me të. Në të vërtetë ideologjitë që kanë vulën e nihilizmit ose të fanatizmit (materialist a fetar) pretendojnë t’i mohojnë të vërtetat mbi realitetin, mbi njeriun e mbi Zotin, ose t’i imponojnë ato që, sipas tyre, quhen të vërteta. Nga ana tjetër – nëvizon nota – shkenca dhe teknika (e posaçërisht bio-mjekësia) shpesh herë, në vend që t’i shërbejnë të mirës së përgjithshme të njerëzimit, përdoren si mjete për të mbështetur një vizion egoistik të progresit e të mirëqenies. Së fundi pohohet se propaganda dhe pranimi në rritje i stileve të jetës së parregullt e në kundërshtim me dinjitetin e njeriut, vijojnë t’i ligështojnë zemrat e mendjet e njerëzve deri në atë shkallë, sa të shlyejnë fare dëshirën për një bashkëjetesë të rregullt e paqësore.
Kisha – vijon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, ka mision të kumtojë Ungjillin e jetës, vënien e njeriut në qendër të gjithësisë dhe dashurinë e Zotit për njerëzimin. Prandaj sfidave të kohëve tona, Kisha u përgjigjet me një antropologji të krishterë, të themeluar mbi tri shtylla: atë të dinjitetit, të bashkëjetesës shoqërore dhe të veprimtarisë së njeriut, në një botë që duhet të orientohet sipas rendit të vulosur nga Hyji në gjithësi. Çdo fyerje e njeriut, është kërcënim për paqen – përfundon nota - e çdo kërcënim që i bëhet paqes, është fyerje e së vërtetës mbi njeriun e mbi Zotin, sepse “Njeriu është zemra e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.