2006-07-13 18:51:47

Lajme shoqërore-politike: 13 korrik


(13.7.2006 R.V.) Vetëm pak orë pas bombardimit të Bejrutit nga ana e aviacionit izraelit sot paradite, hezbollahët, nga territori libanez, goditën me raketa disa qytete dhe fshatra në veri të Izraelit. Deri tani ka afro 10 të vrarë nga libanezët dhe 90 të plagosur nga izraelitët. Tel-Avivi fajëson Iranin dhe Sirinë se kanë gisht në acarimin e situatës, ndërsa qeveria libaneze përsërit mbështetjen për hezbollahët. Por cila është alternativa për qeverinë libaneze? Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet françeskani izraelit Atë David Jaeger.


Përgjigje: Qeveria libaneze vihet përpara një zgjedhjeje: të vazhdojë të autorizojë hezbollahët të kontrollojnë jugun e Libanit ose të marrë guxim e të ripohojë sovranitetin libanez dhe të “shpërbëjë” hezbollahët. Nëse Libani vendosë të pohojë sovranitetin e vet, atëherë kësaj here Libani do t’ia dalë mbanë.

Kriza në Lindje të Mesme dhe çështja e Koresë së Veriut ishin në qendër të bisedimeve që u zhvilluan ndërmjet presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe kancelares gjermane Angela Merkel në qeytetin e Stralsundit, në Gjermani. Mes tjerash presidenti amerikan theksoi se: “Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por jo të dobësojë qeverinë libaneze.” Ndërsa për çështjen bërthamore koreanoveriore presidenti Bush nënvizoi rëndësinë e një qëndrimi unanim të bashkësisë ndërkombëtare.


Dy ditë pas atentateve në Bombej të Indisë që shkaktuan 190 të vrarë dhe 700 të plagosur, policia vijon kërkimet për gjetjen e fajtorëve. Deri tani janë arrestuar rreth 400 persona që dyshohet se njohin atentatorët. Ndonëse hëpërhë askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatet, autoritetet besojnë se frymëzuesja e tyre është organizata islamike e studentëve indianë.


Korea e Veriut i braktisi pa arritur rezultate negociatat ndërkombëtare për të ulur tensionin e krijuar kohët e fundit me Korenë e Jugut. Seuli nga ana e vet deklaroi se do t’i pezullojë të gjitha ndihmat akorduar Pyongyang-ut, për sa kohë Korea e Veriut nuk do t’i kthehet tavolinës së bisedimeve.


Sot provinca e Mutanës në jug të Irakut kaloi zyrtarisht nga juridiksioni i forcave ndërkombëtare në duart e qeverisë irakiane. Ngjarja u vlerësua si historike nga kryeminisitri Al-Maliki. Sidoqoftë dhuna në vend nuk ndalet. Sot paradite pesë nëpunës së bashkisë së Bagdadit u vranë nga një bombë.







All the contents on this site are copyrighted ©.