U publikua bilanci këshillimor përmbledhës 2005 i Selisë së Shenjtë dhe i Qytet-Shtetit
të Vatikanit.
(12.7.2006 RV)Llogaritë e vitit 2005 janë aktive. Pas mbledhjes së Këshillit
të Kardinajve për studimin e problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë,
zhvilluar në Vatikan më 4 korrikun e kaluar, sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit,
u paraqit Bilanci përfundimtar për vitin 2005. Konferenca e shtypit, e para me
drejtorin e ri të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardin, drejtor edhe
i Radio Vatikanit si dhe i Qendrës Televizive vatikanase, u hap me njoftimin se bilanci
përmbledhës i Selisë së Shenjtë për vitin 2005 është mbyllur me rezultatin pozitiv
prej 9, 7 milion euro, shifër tri herë më e lartë se ajo e vitit 2004. Është vlera
më domethënëse e arritur gjatë 8 vjetëve të fundit. Sektorët kryesorë, si ai i veprimtarisë
financiare e imobiliare, kanë arritur rezultate pozitive. Ndërsa në sektorë si ai
i Radio Vatikanit, i Tipografisë së Vatikanit, i Qendrës Televizive të Vatikanit dhe
Shtëpisë Botuese, është krijuar një defiçit prej 11, 8 milion eurosh. Edhe këtë vit
gjysmën e shpenzimeve të Radio Vatikanit e mbuloi Governatorati. Oboli i Shën
Pjetrit, dmth shuma e përgjithshme e lëmoshëve të caktuara për të ndihmuar Papën në
misionin e tij apostolik bamirës, gjatë vitit 2005 ka arritur në shifrën 59 milion
dollarë me një rritje pothuajse 15% në krahasim me vitin 2004. Përsa i përket Radios,
sekretari i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë, imzot Franko
Kroçi, shpjegoi se emitentja papnore po vë në jetë një plan dhjetvjeçar për pakësimin
e personelit. Brënda vitit 2013 personeli do të kalojë nga 395 punonjës në 335. Zgjodhëm
këtë afat – shpjegoi Atë Lombardi - për të mos ndikuar negativisht mbi personelin.
Nuk janë parashikuar, prandaj, as shkurtime e as dalje në pension para afatit. Por
ç’do të thotë bilanc këshillimor përmbledhës? Përgjigjen ia kërkuam kardinalit
Sergio Sebastiani, kryetar i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë. Përgjigje:
- Bilanc përmbledhës është ai që bëhet duke bashkuar në një, bilancet e ndryshme të
Selisë së Shenjtë. Selia e Shenjtë ka veprimtari, pikësynime e kongregacione të ndryshme,
disa nga të cilat janë edhe të pavarura në këndvështrimin administrativ, dmth, nuk
kryesohen nga APSA (Administrata e Pasurisë së Selisë Apostolike). Prandaj ne marrim
të gjitha bilancet që janë bërë e pastaj realizojmë përmbledhjen e bilanceve të administratave
të ndryshme. Është pra bilanç përmbledhës e jo preventiv. Nuk është preventiv, sepse
nuk e dimë akoma cilat do të jenë shpenzimet. Ndërsa bilanci përmbledhës tregon gjendjen
aktuale.