2006-07-12 17:56:01

Dhimbja e Benediktit XVI për atentatet terroriste të Bombeit, në Indi: 190 të vdekurit e 600 të plagosurit.


(12.7.06 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen e tij të thellë për sulmet terroriste që goditën Bombein. Përmes një telegrami, drejtuar sot paradite autoriteteve kishtare e civile, nënshkruar nga kardinali Sodano, sekretar i Shtetit të Vatikanit, Benedikti XVI, duke dënuar këto akte të ulta kundër njerëzimit, siguron se lutet për shpirtin e viktimave dhe për ngushëllimin e familjarëve.
I rëndë bilançi i atentateve në kryeqytetin financiar të Indisë: 190 të vdekur e 600 të plagosur gjatë tetë shpërthimeve, ndër 6 stacione hekurudhore e një stacion të metrosë së qytetit. Sipas policisë vendase, pas atentateve, ka mundësi të jetë një “fuqi e rëndësishme”.
Mbarë bota, duke përfshirë edhe Pakistanin, i dënoi atentatet. Sipas ipeshkvijve indianë atentatet, të cilat shkaktuan humbjen e shumë jetëve dhe dëme të tjera të rënda, janë sulme të ulta mbi njerëzit e pambrojtur e të pafajshëm, që udhëtonin me tren. Në një thirrje drejtuar popullsisë, prelatët e ftojnë t’i përballojë me qetësi këto çaste ankthi e paniku.
Grupet integraliste islamike të Kashmirit, që luftojnë për pavarësinë e shtetit himalajan, deklaruan se nuk kanë asnjë përgjegjësi për ngjarjet. Ndërsa policia indiane vijon të dyshojë se janë vepër e tyre, separatistët mbajtën menjëherë qëndrim kundër atentateve, duke i quajtur akte barbare e çnjerëzore, në kundërshtim me parimet e islamit.
Ndërkaq Bombei, me 17 milionë banorë, po bën përpjekje të dalë nga gjendja e jashtzakonshme, për të rivendour jetën normale. Hapi i parë është rifillimi i lëvizjes së trenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.