Atë Shtjefën Gjeçovi në 132-vjetorin e ditëlindjes (1874-1929)
(12.7.06 RV)Kujtojmë
sot një nga tri figurat vigane që krishtërimi i fali kulturës kombtare shqiptare,
fratin françeskan shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin, i cili për kontributin e tij, radhitet
përkrah dy gjenive të tjerë të krishterimit në Shqipëri, Atë Gjergj Fishtës e Atë
Anton Harapit. Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka
pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te
"Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefini
ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës
shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte ngapak në të gjitha fushat e diturisë.
Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të
thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare
të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i
cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah
Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët
dhe arkeologët e parë shqiptarë. Lindi 132 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në
Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill
e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarësie,
prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe
u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjën françeskane. Gjeçovi ishte vetëm 10
vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan,
Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur
një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët
e rinj do të merrnin rrugat drejt Austrisë e Italisë. Nisi të interesohej për gjithçka
kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkelologji,
etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa
harruar kurr se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë
të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal,
Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram! Kulmin e krijimtarisë
e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.
Shkroi në të trija gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore
e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i
gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha
titullin "Doktor i shkencave in honoris causa". Lista e veprave të tij ësht shumë
e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton
të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit. Shumica e veprave
i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit
1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke,
për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak
frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar
në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut. Ndërmjet
shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe
një monografi me titull "Shtjefën Gjeçovi: Jeta , vepra me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi
shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij
françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashk Bardhit, historianit të
fretërve.Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një
figure që i ngriti vetvetes një monument të pashkatërrueshëm nga koha!