2006-07-11 17:47:50

Pritje familjare për Papën në Lë Kombë, në Valle D’Aosta, ku filloi pushimet deri më 28 korrik.


(11.7.06 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI u nis sot nga Roma dhe arriti në aeroportin Korrado Gjeks të Shën Kristofit në Aosta me një avion të posaçëm të Air Vallée, pas një fluturimi panoramik mbi bjeshkët të larta të zonës, ndërmjet të cilave, Mali Rozë dhe Mali i Bardhë. Për ta pritur Papën kishin dalë ipeshkvi i Aostës, Imzot Gjuzepe Anfonsi dhe autoritet zonale. Ishin të pranishëm edhe 200 persona, të cilët e përshëndetën Atin e Shenjtë me duartrokitje të gjata. Por, për hollësirat e pritjes, na njofton me telefon Salvatore Maca, i dërguar i gazetës ‘Avvenire’ në Lë Kombë:
Përgjigje: - Një përshëndetje në familje: ishin të pranishëm banorët e Introdit dhe fëmijët e kopshtit, që ia uruan Papës mirëseardhejn me vargjet e një vjershe. Papa, shumë i kënaqur që ndodhet përsëri në këtë vend, i cili vjet i la mbresa të thella për mikpritjen, u ndalua ngapak me të gjithë e shkëmbeu ndonjë batutë edhe me gazetarët.
Pyetje: - Papa ceku edhe emërimin e Atë Federiko Lombardit si Drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, pas dorëheqjes së Joakin Navarro-Valls, apo jo?
Përgjigje: - Po. E pyetën për këtë e Papa u përgjigj se e njeh dhe e nderon prej kohe Atë Lombardin dhe shtoi: “Sigurisht kam besim të madh në të”, prandaj mund të themi se nuk bëhet fjalë për një njeri që Ati i Shenjtë nuk e njeh. Shprehja e këtij besimi tregon se ky është një emërim për të cilin ka menduar- si zakonisht- me shumë kujdes, duke kërkuar e duke gjetur njeriun e përshtatshëm për këtë rol tepër delikat.
Për herë të dytë Benedikti XVI zgjedh Vale D’Aostën për të kaluar pushimet verore. Papa do të banojë në Lë Kombë, një fraksion i vogël i Introdit, komune pranë Parkut të Parajsës së Madhe, afër Aostës. Emri Introd, që do të thotë ‘ndërmjet ujërash’ vjen nga pozicioni i vendit ndërmjet ujërave të Përroit Savara dhe atyre të Dora di Remes. Lokaliteti ka 400 banesa, një kështjellë të lashtë të shekullit XIII, një fermë të shkëlqyer, një Kishë kushtuar kthimit të Shën Palit, me një elter të bukur barok e shumë kapela. Vila e salezianëve, ku po kalon pushimet Ati i Shenjtë, e ndërtuar me gurë e dru dhe e rrethuar me bredha, ndodhet në një lartësi 800-900 metra mbi nivelin e detit. Lë Kombë, një zonë shumë e izoluar, e banuar nga 30-40 vetë, frekuentohet shumë vetëm gjatë verës.
Ndërkaq ipeshkvi i Aostës, imzot Gjuzepe Anfosi, i ftuar para mikrofonint tonë, na e përshkruan kështu një ditë të zakonshme pushimesh të Atit të Shenjtë:
Përgjigje: - Po, ngrihet mjaft heret në mëngjes; kremton Meshën; paraditen ia kushton leximit e studimit; ndërmjet dy veprimtarive bën ndonjë shëtitje të shkurtër; pasdite niset për shëtitje të gjata, rreth dy orë. Natyrisht edhe çlodhet pak në qetësinë e shtëpisë, siç do të bënte çdo njeri që është me pushime verore. Kur ndodhet në sallën e ngrënies, ka përballë Malin e Bardhë me majat e tij madhështore, rrethuar nga korniza e bredhave të kopshtit. Kemi një të papritur të këndshme sivjet për Atin e Shenjtë: të dielën e dytë të pushimeve, në lutjen e Engjëllit të Tënzot do të jenë të pranishëm edhe disa përfaqësues të bashkësisë së vogël gjermane Valser, që banojnë në luginën tonë e që flasin në dialektin gjerman teok, ndërsa banorët e tjerët flasin frëngjisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.