2006-07-11 17:32:57

Benedikti XVI emëroi Atë Federiko Lombardin Drejtor të ri të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.


(11.7.06 RVRealAudioMP3 Ndryshim në drejtimin e Sallës Vatikanase të Shtypit. Pas Navarro-Valls, detyra i besohet Atë Federiko Lombardit. Benedikti XVI emëroi Atë Lombardin Drejtor të ri të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Doktor Joakin Navarro-Valls e lë detyrën pas 22 vjet shërbimi të gjatë e fisnik.
Benedikti XVI pranoi kërkesën për dorëheqje të Joakin Navarro-Valls nga detyra e Drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke e falënderuar për shërbimin e tij të gjatë e fisnik. Në vend të tij, Ati i Shenjtë emëroi Atë Federiko Lombardin, që mbetet edhe Drejtor i përgjithshëm Radio Vatikanit dhe Drejtor i Qendrës Televizive të Vatikanit. Në prag të marrjes së detyrës së re, Atë Lombardi u drejtoi një letër kolegëve gazetarë të akredituar pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit.
“Mirënjohje ndaj Atit të Shenjtë dhe Eprorëve që ia kanë besuar këtë detyrë të re kaq të rëndësishme”. Këto janë ndjenjat e para shprehur nga Atë Lombardi në letrën drejtuar kolegëve të informacionit të cilit – shkruan ai – jam i thirrur t’i shërbej. Atyre u drejtohet me simpati, duke nënvizuar se prej kohe punojnë pikërisht si gazetarë të akredituar pranë Sallës së Shtypit, që veprimtaria e Atit të Shenjtë dhe realiteti i Kishës të mund të njihen e të kuptohen në mënyrë objektive e të përshtatshme. Më pas mendimi i Atë Lombardit shkon te doktor Navarro-Valls, i cili – vëren- e ka kryer shërbimin e tij të gjatë në këtë fushë me aftësi, zgjuarsi e përkushtim. Të gjithë i jemi thellësisht mirënjohës e vijojmë ta çmojmë miqësinë e tij. Nuk mund të pretendoj ta imitoj – shton zëdhënësi i ri i Papës - por mund të jeni të sigurtë se, me gjithë kufizimet e mia, do t’i vë të gjitha forcat në shërbim të Atit të Shenjtë e të punës suaj. Atë Lombardi shpreson kështu në bashkëpunimin që – siç vijon të shprehet në letër – do të ofrohet bujarisht nga i gjithë personeli i Sallës së Shtypit, duke filluar nga zevendës-drejtori, miku Atë Çiro Benedetini. Ia besoj Zotit këto ndjenja- përfundon Atë Lombardi, që kujton se pikërisht sot është festa e Shën Benediktit, në të cilën ndoshta jo rastësisht – shkruan ai - ngarkohem me këtë shërbim të ri.
I lindur në Saluco, në provinçën e Kuneos, më 29 gusht 1942, Atë Lombardi, ndoqi shkollën e mesme pranë Institutit “Shoqëror” të Etërve Jezuitë në Torino. Në vitin 1960 hyri në noviciat në provinçën torineze të Shoqërisë së Jezusit në Aviliana. Në viti 1965 ndoqi liçencën në Filozofi, në përfundim të kursit të studimeve pranë Fakultetit filozofik “Aloisianum” të Jezuitëve në Gallarate, në provinçën e Varezes. Nga vitit 1965 deri në vitin 1969 ka qenë asistent i studentëve të Kolegjit universitar të drejtuar nga Jezuitët në Torino. U diplomua në matematikë në universitetin torinez. Në vitin 1972 u shugurua meshtar. Në vitin 1973 ndoqi liçencën në Teologji pranë fakultetit teologjik të Filozofi-Teologjisë Hohshule Sant Georgen të Jezuitëve në Franknfurt mbi Main. Në të njëjtin vit, Atë Lombardi u bë anëtar i kolegjit të shkrimtarëve të revistës së Jezuitëve “Civiltà Cattolica” dhe në vitin 1977, zevendës-drejtor i së njëjtës revistë. Nga viti 1984 deri në vitin 1990 u ngarkua me detyrën e Eprorit provinçial të provinçës së Italisë të Shoqërisë së Jezusit. Në vitin 1991 u emërua Drejtor i Programeve të Radio Vatikanit e në vitin 2001, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Televizive të Vatikanit. Nga 5 nëntori i vitit 2005 Atë Lombardi është Drejtor i Përgjithshëm i Radios sonë.
Ndërsa doktor Joakin Navarro-Valls nënvizon - në një notë- se i është shumë mirënjohës Atit të Shenjtë që pranoi kërkesën e tij të paraqitur disa herë, për t’u larguar nga detyra e Drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, pas kaq vitesh. Jam i vetëdijshëm – shton Navarro-Valls - se gjatë këtyre viteve kam marrë shumë më tepër, sesa kam mundur të jap.
Navarro-Valls, në këtë shërbim prej 22 vjetësh, ka lindur në Kartagjenë të Spanjës në vitin 1936. Ka studiuar pranë Universitetit të Granadës, të Navarrës e të Barcelonës, duke u diplomuar në mjekësi e kirurgji në vitin 1961. Në vitin 1968 u diplomua edhe në gazetari, ndërsa në vitin 1980, në Shkencat e Komunikimit. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Shtypit të Jashtëm në Itali; themelues dhe zevendës-drejtor i revistës ‘Diagonal’, më pas korrispondent i jashtëm i Nuestro Tiempo e, nga vitit 1977, korispondent i Madrid ABC për Italinë dhe Mesdheun Lindor. Ka qenë anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në konferencat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kairo (1994), Kopenhagen (1995), Pekin (1995) e Stamboll (1996). Nga viti 1996 është kryetar i Këshillit të Administratës të Fondacionit Maruzza Lefebvre d’Ovisio për të sëmurët nga tumori, në prag të vdekjes. Ka merituar një numër të madh çmimesh e medaljesh për merita profesionale.
Kryetari i Bashkisë së Romës, Valter Veltroni, i drejtoi Atë Lombardit dhe Joakin Navarro-Valls dy mesazhe. “Formuloj urimet e mia më të mira – i shkruan Kryetari i Bashkisë, Atë Lombardit – në çastin kur ju përgatiteni të merrni një detyrë kaq të rëndësishme përkrah Papës Benedikti XVI. Jam i sigurtë se ju, ashtu si paraardhësi juaj, do ta kryeni detyrën tuaj duke kontribuar edhe për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qytetit të Romës,
Ndërsa Navarro-Valls-it i kujton se ka qenë një pikë e rëndësishme referimi në lidhjen e jashtzakonshme të Romës me qytetarin e vet të nderit, Gjon Palin II e pastaj edhe me Papën e ri. Të gjithë romakët – përfundon Veltroni – do t’ju kujtojnë me nderim e dashuri.Atë Lombardin e uroi edhe kryetari i zonës së Lacios, Marrano dhe i provinçës së Romës, Gasbarra.







All the contents on this site are copyrighted ©.