2006-07-10 17:05:27

“Familja duhet ndihmuar”: është e nevojshme për të mirën e mbarë njerëzimit. Kjo është thirrja e Benediktit XVI nga Valencia e Spanjës, ku dje kremtoi Meshën përfundimtare të Takimit V Botëror të Familjeve.


(10.7.2006 RV)RealAudioMP3 Nga Valencia Papa Benedikti XVI i ftoi familjet në takimin e tyre të ardhshëm botëror në Qytetin e Meksikos, duke u transmetuar një mesazh shprese, paqeje e gëzimi, e duke i nxitur të gjithë që ta kuptojnë rolin e pazëvendësueshëm të lidhjes martesore, për të mirën e mbarë njerëzimit.
Familja – tha Papa - është pasuri për popujt e themel për shoqërinë, asgjë nuk mund ta zëvendësojë plotësisht. Fjalë të qarta, të thjeshta, të prera këto të Benediktit XVI drejtuar të gjithëve, duke përfshirë edhe qeveritarët e ligjvënësit, që të kuptojnë se lidhja martesore, përmes së cilës burri e gruaja japin besën të qëndrojnë gjithë jetën përkrah njëri –tjetrit, është një e mirë e madhe për mbarë njerëzimin. Miliona e miliona njerëz në të katër anët e botës e dëgjuan zërin e Atit të Shenjtë, që u ngrit nga Valencia për t’u dhënë zemër bashkëshortëve, prindërve, bijve, gjyshërve, duke i ftuar të luten për ardhmërinë e familjeve, për forcimin e dashurisë e të besnikërisë në të gjitha martesat, posaçërisht në rastet kur bashkëshortët kalojnë çaste të vështira.
E ardhmëria e familjes kërkon vetëdije dhe impenjim nga ana e të gjithëve. Për këtë na flet drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, që e shoqëroi Atin e Shenjtë në tokën spanjolle:
Akitekturat moderniste, madje mund të themi, futuriste – të Qytetit të arteve e të shkencave, ishin sfondi i hapësirës së madhe, të përmbytur nga dielli, ku u kremtua ky takim i madh feje e urate rreth Papës. Familje katolike që transmetojnë fenë e tyre: familje normale, të të gjitha moshave e të të gjithë vendeve të botës, familje njerëzish që duhen mirë, që besojnë se Zoti u ka falë një dhuratë të madhe, atë të dashurisë besnike, të aftë për t’u dhuruar e për të dhuruar jetë, të aftë për mikpritje e solidaritet. Impenjohen, prandaj, ta mbrojnë dhe e lusin Zotin t’ua ruajë.
Këto familje, për fat të mirë, janë të shumta e këtë ta thotë edhe vetë takimi i Valencies. Të thotë se dashuria e krishterë është e mundur. Edhe ata që nuk e kanë provuar këtë dhuratë ose që kanë provuar shijën e hidhur të dështimit të saj, janë të shumtë e shpesh vuajnë thellësisht. Shumë prej tyre mendojnë edhe se afirmimi i përparësisë së lirisë individuale përkon me situatën e shoqërisë të sotme e të nesërme, shumë më tepër se këmbëngulja për ta ruajtur vlerën e besnikërisë e të qëndrueshmërisë së familjes, që sot shkon kundër rrymës. Kur për këtë takim u zgjodh Valencia, nuk mund as të përfytyrohej se Spanja do të bëhej një nga vendet që do ta shprehnin në mënyrën më dramatike situatën e alternativës përballë së ardhmes; e kjo, për shkak të pranisë të traditës së saj të lashtë katolike e ligjshmërisë, që orientohej nga një drejtim thellësisht i ndryshëm.
Fjalët e Papës qenë të qarta e të matura. Ta thuash haptazi atë në të cilën beson, është detyrë për çdo njeri, për Papën është mision. Nuk ka asnjë njet polemik: bëhet fjalë për ta bërë të qartë atë që po vihet në lojë. E në lojë është një nga vendet themelore, madje vendi i zanafillës të përvojës së dashurisë e prej këndej edhe i cilësisë dhe i mirësisë së marrëdhënieve njerëzore. E kjo është një e mirë tepër e madhe për të gjithë, prandaj nuk mund të shpërfillet e as të errësohet. Është pasuri që duhet mbrojtur për sot e për nesër, sepse për fat të keq, shoqëria mundet edhe ta humbasë ose ta shikojë si bëhet gjithnjë më e rrallë, sa të konsiderohet diçka e jashtëzakonshme, në vend që të jetë pikëmbështetje e zakonshme.
Kisha, familjet katolike, të gjithë njerëzit vullnetmirë të çdo konfesioni e feje duhet ta luajnë rolin e tyre. Përtej shpalljeve të parimeve, është puna baritore e përditshme dhe dëshmia e përditshme e jetës. E është pikërisht kjo dëshmi që, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, krijon kushte për transmetimin e vlerave pozitive nga një brez tek tjetri, nga një njeri tek tjetri.
Urojmë që Valencia të jetë mesazh shprese për të gjithë ata që, përvuajtërisht e konkretisht, në të katër anët e botës, impenjohen që dashuria t’i gjejë udhët për t’u mbajtur në këmbë e për t’u manifestuar!
Shenjë kjo, që tregon se njeriu është shëmbëllim i Zotit!

Pas Valencies, vështrimi drejtohet nga Qyteti i Meksikos, ku do të mbahet më 2009 Takimi VI Botëror i Familjeve. Njoftimin e dha dje Benedikti XVI në praninë e Kryeipeshkvit të kryeqytetit meksikan, kardinalit Norberto Ribera, që u ngjit në elter dhe e falënderoi personalisht Atin e Shenjtë për këtë zgjedhje. E në Amerikën Latine filloi menjëherë interesimi për tubimin e ardhshëm të familjeve.
Kardinali Ribera deklaroi se mbarë populli meksikan, katolikët e ipeshkvijtë e tyre janë shumë të emocionuar për këtë vendim të Papës, dhe shtoi: “Mënyra më e mirë për ta falënderuar Atin e Shenjtë është të fillohet menjëherë katekizmi parapërgatitor për një ngjarje kaq të rëndësishme kishtare, shoqërore, shpirtërore, morale e baritore. Kështu Qyteti i Meksikos do të jetë për Amerikën Latine, çka ishte këto ditë Valencia për Evropën, sepse takime të tilla, që vënë në qendër të vëmendjes universalitetin e problematikës së madhe familjare, krijojnë kushtet për t’i thelluar më tej përmasat zonale të çështjeve të familjes. E kjo, sepse në zona të ndryshme të planetit, kriza e familjes, me të gjitha pasojat që e karakterizojnë shpërbërjen e saj në mbarë botën – ka karakteristika të veçanta. Përballë kësaj situate vijon të gjallërohet gjithnjë më shumë veprimtaria e kishave vendase në favor të institucionit familjar, që i ka rrënjët në planin e Zotit e që përfaqëson modelin e pazëvendësueshëm për të mirën e përbashkët të njerëzimit. 







All the contents on this site are copyrighted ©.