2006-07-10 18:52:20

Lajme shoqërore-politike: 10 korrik


(10.7.2006 R.V.)RealAudioMP3 Shkodra dhe Shqipëria i dhanë lamtumirën e fundit kryetarit të parlamentit të parë të Shqipërisë demokratike Pjetër Arbnorit. Në ceremoninë fetare të meshës së dritës në Katedralen e Shkodrës të kryesuar nga kryeipeshkëvi metropolit Imzot Angjelo Masafra dhe në ritin e salikimeve në varrezat e Rrmajit, morën pjesë autoritete të larta shtetërore, civile nga Shqipëria dhe Kosova si edhe një numër jashtëzakonisht i madh qytetarësh.
Me vdekjen e Pjetër Arbnorit politika dhe shoqëria shqiptare humbën një kultivues të vlerave njerëzore dhe demokratike. Endrra e tij ishte një Shqipëri e lirë e zhvilluar dhe demokratike. Por më hollësisht mbi lamtumirën që Shkodra i dha bashkëqytetarit të vet të nderuar të ndjekim shërbimin e Jolanda Babës...


Në pikëllimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë mori pjesë edhe Kosova. Nga Prishtina na informon Rabije Ibraj...


Në Ingusheti u vra Qamil Basajevi, komandanti i guerriljes çeçene. Sipas njoftimeve të para Basajevi së bashku me disa terroristë të tjerë po udhëtonte në një kamion të mbushur me eksploziv që u hodh në erë nga forcat specile ruse. Mendohet se terroristët po përgatisnin një atentat tjetër në prag të mbledhjes së G.8 në Moskë. Presidenti Putin tha se ky ishte fundi që Basajevi meritonte për të gjitha atentatet kundra të pafajshëmve.


Një aeroplan Fokker i shoqërisë pakistane të fluturimeve u rrëzua sot në Pakistan porsa u ngjit në ajër nga pista e Multanit në lindje të vendit. Që të gjithë 45 udhëtarët vdiqën në vend. Nuk dihen ende me siguri shkaqet e fatkeqësisë por autoritetet policore mendojnë se ishte një defekt teknik dhe jo një akt terrorist.


Në Irak vijojnë hakmarrjet ndërmjet myslimanëve sunitë dhe shiitë. Një ditë pas masakrës së 42 sunitëve, sunitët morën hak duke vrarë me atentat 14 shiitë dhe plagosur 60 të tjerë. Gjithashtu pati tre të vdekur dhe 16 të plagosur në një atentat kundër zyrës së partisë kurde në Kirkuk, ndërsa në verilindje të Bagdadit rebelët vranë një anëtar të qeverisë.


Ndonëse Kina është kundër një rezolute të menjëhershme për çështjen e raketave me rreze të gjatë veprimi të Koresë së Veriut, ka shumë mundësi që Këshilli i Sigurimit sot apo nesër të votojë një dokument që dënon manovrat e fundit ushtarake të qeverisë koreanoveriore.







All the contents on this site are copyrighted ©.