2006-07-09 16:59:37

Shenjtorët e javës


RealAudioMP3 (9.7.06 RV)Sot, e Diela XIV e kohës gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi Shën Agostin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; Shën Adrianin III papë dhe Shën Veronikën Gjuliani, klarise kapuçine.
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shenjtoreve Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitoria, martire. Festa e tyre na kujton se Jezusi, ashtu si Ati i Tij qiellor, e do jetën e njerëzve, ndalon hemorragjinë që e bën njeriun të humbasë gjakun, simbol i jetës; kthen në jetë vogëlushen e vdekur. Tregon kështu besnikërinë e tij ndaj Atit, që është Zoti i jetës.
Shën Benedikti Abat, Pajtor i Evropës, që do të kremtohet të martën e ardhshme, na kujton se është i bekuar ai që ecën në rrugët e Zotit me punë e me lutje, sipas shpirtit të Shenjtit. Mbetet, kështu, i bashkuar me Krishtin si shermendi me hardhinë. E të mbetesh në dashurinë e Krishtit do të thotë ta shenjtërosh gjithë jetën, sepse limfa jetike vjen pikërisht nga Krishti.
Në festën e Shën Gjon Guadalbertit, abat, themelues i Valombrozanëve dhe Shenjtorëve Nabori e Feliçi, martirë milanezë, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën e ardhshme, kujtojmë se ndër njerëzit që i thërret Zoti e i dërgon të përhapin lajmin e mirë, jemi edhe ne. Çdo i krishterë dëgohet në botë për të dëshmuar dashurinë që na ka dhuruar Krishti. Për këtë jemi të sigurtë.
Të enjten e ardhshme është festa e Shën Enrikut II perandor, Shën Ezdrës s’ribë (shkronjës) dhe Shën Silës, nxënës i apostujve. Na kujtojnë se dhurata e Ungjillit dhe feja në Krishtin na janë dhënë falas të gjithëve e falas edhe duhen pranuar. Njeriu bëhet nxënës i Krishtit lirisht e në mënyrë të vetëdijshme, duke pranuar edhe pasojat e rrugës që ka zgjedhur, rrugës së Kryqit!
Të premten, pastaj, do të kremtohet Shën Kamili de Lelis, themelues i shërbëtorëve të të sëmurëve. Na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë.
Të shtunën do të kremtohet Shën Bonaventura, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës, françeskan, që na kujton se të jesh i krishterë, do të thotë të jesh i sigurtë se Zoti kujdeset për ne në çdo çast të jetës. E kjo na jep zemër ta shpallim haptazi besimin tonë në Zotin, duke e pasur mirë parasysh se feja nuk është ndjenjë private, por dëshmi publike!







All the contents on this site are copyrighted ©.