Benedikti XVI ndodhet në Valencia për Takimin V Botëror të Familjeve. Pritet me entuziazëm
nga besimtarët spanjollë. Bën homazhe për kujtimin e viktimave të aksidentit të metrosë.
(8.7.06 RV)Shtegtimi i tretë ndërkombëtar i Benediktit XVI nisi me homazhe
për viktimat e metrosë së qytetit spanjoll. Entuziaste pritja nga ana e besimtarëve,
shumë i ndjekur nga opinioni takimi me kryeministrin spanjoll Zapatero, ndërsa tani
sapo ka filluar nata e lutjes me familjet e mbarë botës. Nesër, Mesha solemne,
në të cilën pritet të marrin pjesë më se një milion besimtarë, lutja e Engjëllit të
Tënzot dhe rikthimi në Vatikan. Papa ndodhet në Valencia, ku ka shkuar për të
takuar familjet e botës, të thirrura për t’ua transmetuar fenë breznive të reja. Me
këtë frymë filloi sot paradite shtegtimi ndërkombëtar i Benediktit XVI, i pari në
Spanjë. Avioni papnor preku tokën valenciane rreth orës 11. 21. Për ta pritur Papën
kishin dalë, përveç familjes mbretërore të Spanjës, autoritetet më të larta të shtetit
e të Kishës si dhe një turmë e madhe besimtarësh entuziastë. Ndërsa tani, njëkohësisht
me transmetimin tonë, Papa ka shkuar në Qytetin e Arteve e të Shkencave të Valencies,
për mbylljen e Kongresit V Botëror të Familjeve. Por të kthehemi tek orët e para
të Papës në tokën spanjolle, të ngarkuara me emocion. “Benedicto amigo la familia
esta contigo” – Benedikt mik, familja është me ty. Ndjehet kështu fryma e mirënjohjes
së thellë me të cilën familjet e botës mbarë, të mbledhura në Valencia, takohen me
Papën e me të cilën u zhvilluan një javë të tërë edhe punimet e Kongresit teologjiko-baritor
me temë “Transmetimi i fesë në familje”. Sapo arriti në aeroportin e Manisës në
Valencia, mbreti Huan Carlos Burbon i drejtoi Papës përshëndetjen e mirëseardhjes.
I shoqëruar nga mbretëresha Sofia, e falënderoi Benediktin XVI për praninë në tokën
spanjolle dhe për fjalët ngushëlluese me rastin e aksidentit në metronë e Valencies,
ngjarje tragjike, së cilës më pas Papa i kushtoi disa çaste pikërisht në stacionin
e Jezusit, duke u ndaluar aty për t’u lutur, jashtë programit të vizitës, gjë që u
duartrokit nxehtësisht nga një numër i madh besimtarësh. E Papa iu përgjigj mbretit,
duke theksuar se prania e tij në Valencia lidhet ngusht me Takimin V Botëror të Familjeve: MI
DESEO ES PROPONER EL PAPEL CENTRAL, PARA LA IGLESIA Y... “Dëshira ime –
tha Papa – është të theksoj rolin qëndror që ka, për Kishën dhe shoqërinë, familja
e themeluar mbi martesën. Është një institucion i pazëvendësueshëm sipas planeve të
Zotit e Kisha nuk do të pushojë kurrë s’e theksuari e s’e promovuari vlerën e saj
themelore – derisa – nënvizoi Benedikti XVI – të jetohet gjithnjë me përgjegjësi
e gëzim”. Së fundi, Papa kujtoi me emocion paraardhësin e tij të nderuar,
Karol Vojtilën, mikun e madh të Spanjës, që i thirri familjet e botës në këtë takim.
I shoqëruar nga brohoritjet e turmës, që kishte mbushur të dyja anët e rrugës nëpër
të cilën kalonte, Benedikti XVI arriti tek vendi i aksidentit ku, pak ditë më parë,
humbën jetën 42 persona dhe, në një atmosferë emocioni e entuziazmi, u lut për shpirtrat
e tyre. Më pas Ati i Shenjtë vizitoi katedralen e Valencies, kushtuar Zojës së
ngjitur në qiell, ku ruhet Kelku Shenjt që sipas traditës, është po ai kelk në të
cilin Krishti piu për herë të fundit nësa themelonte Sakramentin e Eukaristisë. Vizitoi
edhe bazilikën e Virgen de los Desamparados, shqip - Zojës të të braktisurve, ku
ruhet një shtatore druri e Nënës së Zotit e shekullit XIV, punuar në stil gotik, veshur
me petka tradicionale të shekullit XVII. Kjo shtatore vihej mbi arkivolin e të sëmurëve
mendorë, të njerëzve të huaj dhe të braktisur, si për të treguar se nuk ishin të pambrojtur,
se edhe ata e kishin një Nënë. Këtu Papa i dhuroi një kelk kryetarit të Konferencës
Ipeshkvnore spanjolle, imzot Blaskuez. I dorëzoi edhe një letër drejtuar të gjithë
ipeshkvijve vendas. Benedikti XVI i falënderoi ipeshkvijtë për atmosferën entuziaste
që krijuan në këtë Takim botëror. Pastaj i ftoi t’i shfrytëzojnë frytet e takimit
e të vijojnë pa u lodhur veprimtarinë baritore familjare ndër dioqezat e tyre, në
mënyrë që në çdo shtëpi të hyjë mesazhi ungjillor, i cili forcon shpirtin e i jep
përmasa të reja dashurisë, duke e ndihmuar familjen për t’i kapërcyer vështirësitë
që ndesh çdo ditë. Në sheshin e bazilikës, para se të thoshte Lutjen e Engjëllit të
Tënzot, në fjalimin drejtuar seminaristëve spanjollë, shoqëruar nga familjarët, Papa
theksoi edhe një herë vlerat e familjes: EL AMOR, ENTREGA Y FIDELIDAD DE LOS
PADRES, ASI’ COME... “Dashuria, këshillat dhe besnikëria e prindërve, ashtu
si harmonia në familje, krijojnë ambientin e përshtatshëm që të ndjehet zëri hyjnor
e të pranohet dhurata e thirrjes për t’ia kushtuar gjithë jetën Krishtit”.
Së fundi Ati i Shenjtë iu lut Zojës së Bekuar në të folmen valenciane: “Na mbro ditë
e natë në të gjitha nevojat tona, sepse ti, o Virgjëra Mari, je Nënë e njerëzve të
braktisur”. Një vizitë e ngarkuar me emocione e me domethënie, që vijoi pasdite
me dy takime: pas takimit me familjen mbretërore të Spanjës, Papa u kthye në këmbë
në pallatin e kryeipeshkvisë, ku u takua me kryeministrin spanjoll, Hosè Luis Rodriguez
Zapatero, i cili shoqërohej nga bashkëshortja, nga zëvendës-kryeministrja Maria Tereza
Fernandez de La Vega dhe nga ambasadori i Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, Fraçisko
Vazkuez Vazkuez. Kryeministrin Zapatero e priti zëvendës-sekretari i Sekretarisë së
Shtetit të Vatikanit, Leonardo Sandri dhe nunci apostolik Manuel Monteiro de Kastro,
që e shoqëruan në Sallën e Audiencave të pallatit kryeipeshkvnor, ku Papa dhe kryeministri
zhvilluan një bisedë private, që zgjati 15 minuta. E tani, kur ne po transmetojmë,
në Qytetin e Arteve e të Shkencave sapo ka nisur nata e lutjes me Papën, në të cilën
marrin pjesë të gjitha familjet e ardhura nga mbarë bota: çast feste e dëshmish. Por,
me ç’ frymë po e jetojnë familjet e mbledhura në Valencia takimin e tyre të pestë
botëror dhe vizitën e Papës Benedikti XVI: ja disa nga dëshmitë e mbledhura nga të
dërguarit e Radios sonë në qytetin spanjoll: Përgjigje: - Mendoj se është
një takim i rëndësishëm; e është e rëndësishme edhe të marrësh pjesë në të, për të
parë se familja në Evropë është ende e fortë. Të ndjekësh Papën është diçka e rëndësishme,
sepse është drita jonë, është ai që na drejton në rrugën e fesë. Pyetje: - A
është e vështirë për juve jeta familjare sot? Përgjigje: - Per ne jo,
por ne kemi përvojën shumëvjeçare të fesë mbi shpatulla. Për ne nuk është e vështirë,
sepse jemi përgatitur për martesën. Natyrisht sulmet janë të shumta, edhe gjykimet,
por ne jemi të përgatitur për t’i përballuar. Pyetje: - Të transmetohet feja
në familje – kjo është tema e Takimit V të Familjeve, që arriti kulmet e veta: si
e jetoni ketë aspekt? Përgjigje: - Ne ndërkaq e kemi marrë fenë nga
Kisha edhe duke ecur në një rrugë të caktuar. Bëjmë pjesë në rrugën neokatekumenale.
Ja pra, këtë fe që na e kanë dhënë në famulli, ne përpiqemi t’ua japim fëmijëve, dmth
përpiqemi që Krishti të jetë i pranishëm brënda familjeve tona. Si zakonisht
në raste e shtegtimeve ndërkombëtare, Papa i dërgoi, në sa nisej, një telegram presidentit
të Republikës Italiane, përmes të cilit i lutet Zotit të dikojë mbi Italinë dhuratën
e largpamësisë, që të vijojë ta mbrojë me të gjitha forcat institutin familjar, i
cili është qeliza themelore e shoqërisë. Nga ana e tij, presidenti Napolitano
iu përgjigj se familja ka një kuptim të lartë për popullin italian, se përbën bërthamën
bazë të shoqërisë italiane e se roli i saj njihet e mbrohet nga Kushtetuta republikane”.
Në çastin e nisjes në aeroportin e Fiumiçinos, rreth orës 9. 45, të paradites,
Papa u përshëndet nga zëvendës-kryeministri italian, Françesko Ruteli.