2006-07-07 16:52:05

Valencia jeton me emocion vigjiljen e arritjes së Benediktit XVI, ndërsa vijon Takimi Botëror i Familjeve.


RealAudioMP3 (7.6.2006 RV)Valencia pret Benediktin XVI. Nesër Papa do të jetë në Takimin V Botëror të Familjeve, organizuar nga Këshilli Papnor për Familjen.
Bëhen përgatitjet e fundit për arritjen e Papës në Takimin V Botëror të Familjeve, që vijon në Valencia me temë: “Transmetimi i fesë në familje”. Sonte përfundoi Kongresi teologjiko-baritor ndërkombëtar me të njëjtin titull. Gjatë këtij takimi të madh, që filloi më 4 korrikun e kaluar, dhjetra diskutues shkëmbyen përvojën e tyre mbi aspekte të ndryshme të familjes në kohën tonë, duke nisur nga aspekti fetar, tek ai bioetik, ekonomik, edukativ, moral e baritor.
Valencia, qytet plot harmoni, sa i lashtë, aq modern, është ende e trishtuar për shkak të aksidentit të rëndë që ndodhi pak ditë më parë në metro, ku humben jetën 42 vetë. Por kjo ndjenjë nuk e pengon emocionin për arritjen e Benediktit XVI, që do të jetë pas pak orësh në këtë qytet për të përshëndetur familjet e mbarë botës. Edhe vetë Papa e ka ndryshuar programin e vizitës e nesër, sapo të shkelë në Valencia, para se të shkojë në katedrale e në bazilikën e Virgen de Los Desamparados, do të ndalet për t’u lutur në vendin e aksidentit, ku do të përshëndesë familjarët e viktimave. Të gjitha pallatet e qytetit kanë shpalosur flamuj me ngjyrat bardh e verdh të Selisë së Shenjtë ose parulla, përmes të cilave i urojnë mirëseardhjen Benediktit XVI.
Valencia, pra, është gati. Qyteti ka 800 mijë banorë, 1 milion e 600 mijë në se kemi parasysh gjithë qendrën e banuar, e cila ka ndryshuar thellësisht kohët e fundit edhe tipografikisht, pasi në vitet ‘60 u ndryshua rrjedha e lumit që e përshkonte përmes dhe shtrati i tij u kthye në një lulishte të madhe. Pikërisht këtu është ndërtuar kompleksi i Qytetit të Arteve dhe Shkencave, pranë të cilit është ngritur elteri me kryqin e madh të ndriçuar, ku Papa do të kremtojë Meshën shenjte të dielën e ardhshme, para se të rikthehet në Vatikan.
Nesër mbrëma, duke filluar nga ora 21. 00, do të organizohet nata e madhe e lutjes me familjet, gjatë së cilës do të gërshetohen dëshmitë e disa familjeve, ardhur nga mbarë bota, me shfaqje artistiko-kulturore të artistëve me famë botërore.Këto janë dy çastet kulmore të takimit të familjeve me Papën, takim shumë i dëshiruar nga Gjon Pali II. Duke nisur nga viti 1994, përsëritet çdo tre vjet, si një nga format e përpjekjes për t’i bërë ballë sulmeve që i vijnë familjeve nga drejtime të ndryshme të botës politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.