2006-07-07 14:38:29

Kryeipeshkëvija Tiranës-Durrës ka ipeshkëvin e ri ndihmës. Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi Ipeshkëv-Ndihmës të Tiranë-Durrësit, Atë Gjergj Frendon, domenikan.


RealAudioMP3 (7.7.2006 RV)Ipeshkvit të ri, që është rregulltar i Urdhërit të Predikatarëve (dominikan), dhe Vikar i përgjithshëm i së njëjtës Kryedioqezë, iu caktua njëkohësisht edhe selia titullare e Butrintit.
Jetëshkrimi i ipeshkvit të ri:
Atë Gjergji ka lindur në Qormi të Maltës më 4 prill 1946, ku edhe u pagëzua me emrin Anthony (Anton). Më 1962 hyri në Urdhërin e Predikatarëve. Nisi menjëherë studimet filozofike e teologjike në Kolegjin Filozofiko-Teologjik Dominikan të Rabatit në Maltë, ku edhe bëri kushtet e përjetshme në vitin 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.
Në vitin 1973 u diplomua në Romë në Drejtësi Kanonike pranë Universitetit Papnor të Shën Tomës (Angelicum). U kthye në Maltë ku dha mësim në Kolegjin Dominikan të Rabatit dhe në Fakultetin e Teologjisë në Maltë.
Nga viti 1974 deri në vitin 1996 kreu disa detyra në urdhërin Dominikan: qe mësues i novicëve, epror kuvendi, famullitar provincial; ndërsa në Kryedioqezën e Maltës: Avokat e gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane të shkallës së dytë. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj të Maltës.
Nga viti 1997 ndodhet në Shqipëri ku, duke nisur nga viti 1998, kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të Kryediqezës së Tiranës e, nga viti 2001, atë të zevendës-gjyqtarit të Gjykatës Ndër-Dioqezane të shkallës së parë. Nga viti 1999 deri më 2005 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj në Shqipëri e, nga viti 2001 deri më 2005, ka qenë anëtar i Këshillit ekzekutiv të Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Mëdhenj. Flet mirë anglishten, italishten e shqipen. Të ndjekim intervistën që Ipeshkvi i ri i dha Programit të gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit menjëherë pas shpalljes së lajmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.