Sekuestrohen nga fanatikët indù katër rregulltare të Nënë Terezës
(6.7.2006 RV)Në Indi policia vendase sulmoi dhe arrestoi pak ditë më parë,
katër motra të Nënë Terezës, ndërsa vizitonin të sëmurët në një spital indian. U akuzuan
se duan t’i kthejnë në fenë e krishterë njerëzit në prag të vdekjes. U sulmuan gjatë
njërës prej vizitave që bëjnë një herë në javë në spitalin e qytetit-shenjtërore indù
të Tirupatit, në shtetin jugor të Andra Pradeshit. Të katër rregulltaret, të gjitha
rreth moshës 35 vjeç, ndodheshin, si zakonisht, në spitalin shtetëror të Ruia-s, ku
shkojnë herë pas here për të ndihmuar të sëmurët rëndë nga Sida. Një turmë e përbërë
nga fanatikë të Grupit për mbrojtjen e fesë induiste, hyri me forcë në spital, ku
i bllokoi katër rregulltaret. Turma u bë gjithnjë më e madhe, derisa arritën forcat
e rendit, që i çuan murgeshat në polici. Ky sulm – komenton kryeipeshkvi Osvald Gracias,
kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Indiane – është një fakt tragjik, që e trondit bashkësinë
indiane e që duhet dënuar me forcë. Situata bëhet edhe më e rëndë, kur mendon se rregulltaret
e Nënë Terezës janë të njohura në mbarë botën për veprimtarinë e pashembullt bamirëse
ndërmjet njerëzve më të varfër e më të pambrojtur. E aq më tepër që – siç shpjegon
Imzot Marampudi Joji, kryeipeshkëv i Hiderabadit – rregulltaret kanë leje nga qeveria
për këto vizita, të cilat vijojnë që prej 20 vjetësh. Motrat u detyruan ta kalonin
ditën në polici e u liruan vetëm në mbrëmje. Të nesërmen, të shoqëruara nga Eprorja,
u paraqitën përsëri në Komisariat, të pajisura me lejën që i autorizon për të vijuar
vizitat në spital.