2006-07-05 18:13:04

Vijojnë diskutimet dhe shkëmbimet e përvojës në Takimin V të Familjeve, që të shtunën e ardhshme do të presë Benediktin XVI


(5.7.2006 RV)Dje, në hapjen Kongresit teologjiko-baritor me temë: “Familje, jetoje dhe transmetoje fenë”, pjesëmarrësit u luten për viktimat e aksidentit të metrosë në Valencia. Pastaj kardinali Lopez Truhiljo, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, mbajti fjalën e hapjes, i ndjekur nga kardinali Karlo Kafarra, kryeipeshkëv i Bolonjës, i cili u përqëndrua kryesisht tek marrëdhëniet ndërmjet shtetit laik e familjes.
Ndërsa sot, dita e dytë e Kongresit, delegatët ndoqën fjalën e Primatit të Spanjës, kardinalit Antonio Canizares Llovera, i cili u foli për aspektet baritore të transmetimit të fesë në familje. Kardinali theksoi shenjtërinë e lidhjes martesore ndërmjet një burri e një gruaje, cënuar seriozisht nga politika që ndjek qeveria spanjolle. Pas tij sollën dëshmitë e tyre përfaqësues të lëvizjeve kishtare e të shoqatave të ndryshme që punojnë për mbrojtjen e familjes. Ndërmjet tyre, Julio Karron, pasardhës i don Gjuzanit në udhëheqje të vëllazërisë Bashkim e Çlirim. Njëkohësisht me Kongresin, u hapën edhe punimet e takimeve “Gjyshërit dhe transmetimi i fesë” dhe “Gjyshërit e familja” kushtuar bijve dhe gjyshërve në vatrën familjare, veprimtari që organizohen për herë të parë.
Të premten, më 7 korrik në orën 20. 30, në Shetitoren Detare të Plazhit në Malvarroza, do të kremtohet Rruzarja e Familjeve. Do të marrin pjesë më se 40 fëmijë, të cilët do të dramatizojnë Misteret. Po në Valencia, të shtunën, më 8 korrik, duke filluar nga ora 21. 00, do të gërshetohen dëshmitë e disa familjeve, ardhur nga mbarë bota, me shfaqje artistiko-kulturore të artistëve me famë botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.