2006-07-05 18:10:17

Feja është gjithnjë përkrah paqes dhe miqësisë ndërmjet njerëzve: kjo u theksua në takimin e udhëheqësve fetarë, që përfundoi sot në Moskë


(5.7.2006 RV)Në takimin e rangut të lartë të udhëheqësve fetarë, që filloi të hënën e kaluar në Moskë, përfunduan diskutimet. Kristianë, islamikë, hebrenj, budistë, shintoistë e besimtarë të feve të ndryshme të botës – më se 200 delegatë nga 40 vende – shkëmbyen përvojën në përpjekjen për të mbrojtur vlerat morale e shpirtërore dhe për të ndërtuar një botë më të mirë.
Takimi u organizua nga Këshilli ndërfetar i bashkësisë së shteteve të pavaruara. Kujtojmë se nga ana e katolikëve ishin të pranishëm, ndërmjet tjerëve, kardinajtë Valter Kasper e Pol Pupard, përkatësisht kryetarë të dikastereve vatikanase të Bashkimit të të krishterëve dhe të Kulturës; pastaj kardinali Rogjer Etçegarai, kryetar nderi i k Këshillave Papnore për ‘Drejtësi e Paqe’ dhe ‘Cor unum’ dhe Godfrid Daniels, kryeipeshkëv i Malines-Brukselit.
Takimi i Moskës përfundoi sot me një “Deklaratë” për udhëheqësit e G.8, që do të marrin pjesë në Samitin e Shën Pieterburgut nga data 15 deri më 17 korrik.
‘U përpoqëm t’i përgjigjemi në mënyrë skematike problemeve që shqetësojnë njerëzit e kohëve tona’. Ky është një nga fragmentet më domethënëse të Konferencës së shtypit, mbajtur në përfundim të Samitit të përfaqësuesve të feve të ndryshme. Mesazhi i Moskës është i qartë: ‘Feja nuk duhet përdorur kurrë për të përligjur dhunën. Luftrat kanë gjithnjë shkaqe politike’. E këtë e dëshmoi plotësisht edhe pamja e sallës së takimit të madh, ku mund të soditeshin rabinë hebrenj ulur pranë përfaqësuesve të islamit, prelatë të krishterë, pranë priftërinjve budistë e kështu me radhë. Ne kemi marrëdhënie të vazhdueshme me ajatollahët iranianë – pohoi rabini David Rozen, ndonëse mundësitë e takimit janë të pakta. Ajatollahu Al Taskin, ulur pranë tij, e mbështeti plotësisht mendimin mbi nevojën e takimeve e të njohjes më të thellë ndërmjet përfaqësuesve të feve të ndryshme. Për delegacionin e Vatikanit, në takim u arritën rezultate pozitive. Ndërsa ndërmjet propozimeve, vlen të theksohet se u fol për mundësinë e krijimit të një mekanizmi në selinë e OKB-së për një dialog më aktiv ndërmjet udhëheqësve fetarë e politikë.
Mbi pasurinë e mendimeve të shkëmbyera dhe rëndësinë e Samitit të Moskës, na flet kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve:
Përgjigje: - Mendoj se ky takim ndërkombëtar u realizua shumë mirë. U takuam jo vetëm me përfaqësues të kishave dhe bashkësive të krishtera, por sidomos me myslimanë, budistë, hebrenj e shumë të tjerë. Punimet u zhvilluan në një frymë shumë miqësore. U fol për problemet e dialogut fetar, duke theksuar me forcë se emri i Zotit nuk duhet shqiptuar, kur është fjala për të përdorur dhunën e se feja mban anën e paqes e të miqësisë ndërmjet njerëzve. Për këtë ishin të gjithë një mendje. E mendoj se ka shumë rëndësi edhe mesazhi që bashkësitë fetare përgatitën për G.8.
Pyetje: - Si janë tani marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe Kishës katolike? Është bërë ndonjë hap i ri përpara?
Përgjigje: - Ka pasur probleme vitet e kaluara, por tani marrëdhëniet ndërmjet nesh janë përmirësuar e kjo ra vërtetë në sy gjatë këtij takimi. Ndonjë javë më parë metropoliti Kirill u takua me Benediktin XVI e edhe unë fola me të. Ne dëshirojmë ta vijojmë afrimin ndërmjet dy kishave. Mendoj se tani kemi një frymë të re, sidomos në saje të pjesëmarrjes së Patriarkanës së Moskës në dialogun ndërkombëtar, që do të mbahet gjatë muajit shtator në Beograd.







All the contents on this site are copyrighted ©.