2006-07-05 18:18:19

Duke shfletuar kalendarin e 5 korrikut, Kisha katolike kremtoi festën Shën Anton Maria Zakarisë


(5.7.2006 RV)Antoni lindi në Kremonë të Italisë, në vitin 1502. Pak kohë pas lindjes, i vdiq i jati, duke e lënë t’ëmën vejushë në moshën 18 vjeçe. Gruas së re iu desh ta edukojë djalin në rrethana të vështira politike e familjare. Me një guxim jo të zakonshëm, ia doli mbanesh ta shkollonte derisa, më 1524, u diplomua në fakultetin e mjekësisë në Padovë. Por mjeku i ri, duke parë se Kisha po kalonte kohë të vështira e se priftinjtë e mirë ishin të pakët, u kthye në Kremonë dhe vendosi t’u shpjegojë Ungjillin dhe doktrinën katolike të mëdhenjve e të vegjëlve. U shugurua meshtar në vitin 1528. Filloi kështu të vrapojë pa u ndalur deri në vdekje. E nisi shërbimin meshtarak si kapelan i konteshës Ludovika Toreli, të cilën e ndoqi pas në Milano, në vitin 1530. Këtu, i nxitur dhe i ndihmuar nga kontesha dhe nga dy miq milanezë, themeloi tri bashkësi, të trija me emrin e Shën Palit, për t’u çuar të gjithë njerëzve Krishtin përmes diturisë. Më 1530 themeloi Klerikët Rregulltarë të Shën Palit, që në Milano nisën të quheshin Barnabitë, me emrin e kishës së Shën Barnabës, e cila qe selia e tyre e parë. Më pas themeloi Motrat Engjëllore të Shën Palit, shembulli i parë i murgeshave që nisën ta kryejnë misionin jashtë klauzurës, në lidhje të ngushta me popullin. Shën Karl Borromeo u entuziazmua shumë nga një mision i tillë i motrave, por Koncili i Trentit i këshilloi të ktheheshin në jetën e mbyllur të kuvendit. Së treti Antoni themeloi “Të martuarit e Shën Palit”, me impenjimin e vazhdueshëm apostolik të laikëve të martuar. E ndërsa punonte ditë natë për themelimin e Kongregatave, vijonte pa u lodhur predikimin e Ungjillit. Fjalët e tij trondisnin, mrekullonin, rigjallnin fenë në shumë zemra, por jo më pak, ngjallnin edhe armiqësi kundër tij. I paditur si heretik e kryengritës, Antoni u nis për në Romë ku, si përballoi dy procese, fitoi plotësisht pafajsinë. Gjatë udhëtimit në Guastalia, filloi ta ndjente lodhjen. Nuk qe më në gjendje ta vijonte veprimtarinë me ritmin e zakonshëm. Trupi e tradhtoi. Bashkëvëllezërit e çuan në Kremonë, ku edhe vdiq pa i mbushur 36 vjet. Trupi i tij u mbart në Milano ku u vendos në Kishën e Shën Barnabës. Kisha katolike e shpalli shenjt në vitin 1897.
La pas moton: Duhet të vraponi si të marrë. Kështu u flet një meshtar meshtarëve të tjerë. E meshtarët vërtetë vrapojnë. Në epokën e tij e shumë kohë pas tij. Dje e sot, në mijëvejçarin e tretë. Duke i ftuar meshtarët të vrapojnë, ai shton fjalët “drejt Zotit e të afërmit”. Ishte koha kur Luteri nxiste popuj të tërë të çoheshin kundër Kishës, gjë tepër e rëndë për të krishterët. Por Antoni mendonte se kishte edhe gjëra të tjera që rëndonin fort mbi Kishën katolike të epokës: ipeshkvijtë dritëshkurtër, injoranca fetare, feja sipërfaqësore. Grupe guximtare të krishterësh e ndjenin se Kisha duhej reformuar nga brënda. E ja, njëri prej tyre i ftoi të gjithë të vrapojnë, në çdo kohë, në çdo vend, për të përhapur Fjalën e Zotit e për ta jetuar atë ndërmjet njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.