“Përgjegjësia e feve për mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale” në qendër të takimit
të udhëheqësve fetarë të botës, hapur dje në Moskë
(4.7.2006 RV)Siç kujtoi Papa Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot
të së dielës, dje në Moskë filluan punimet e takimit të udhëheqësve fetarë, organizuar
nga Këshilli ndërfetar i bashkësisë së shteteve të pavaruara. Në këtë nismë, që do
të vijojë deri më 5 korrik, po shkëmbejnë përvojën rreth 200 përfaqësues të Kishave
ortodokse, të Kishave parakalçedoneze e të Kishës katolike, nga 40 vende të ndryshme.
Marrin pjesë edhe përfaqësues të islamit, të hebraizmit e të induizmit, përfaqësues
të Këshillit ekumenik të Kishave dhe të organizatave të tjera fetare ndërkombëtare.
Nga ana e katolikëve janë të pranishëm, ndërmjet tjerëve, kardinajtë Uollter Kasper
e Pol Pupard, përkatësisht kryetarë të dikastereve vatikanase të Bashkimit të të krishterëve
dhe të Kulturës; pastaj kardinali Rogjer Etçegarai, kryetar nderi i k Këshillave Papnore
për ‘Drejtësi e Paqe’ dhe ‘Cor unum’ dhe Godfrid Daniels, kryeipeshkëv i Malines-Brukselit.
Shumë e pasur tematika e përgatitur paraprakisht nga një grup i veçantë. Po diskutohet
mbi rolin e fesë në shoqërinë e sotme e posaçërisht mbi përgjegjësinë që kanë fetë
për mbrojtjen e vlerave shpirtërore e morale, në shërbim të ndërtimit të një bote
më të mirë. Po flitet për luftën kundër terrorizmit dhe fanatizmit, por edhe për respektimin
e ndjenjave fetare e të çdo gjëje që është e shenjtë për traditat e ndryshme fetare.
Shkëmbehet përvoja edhe për veprimtaritë kishtare në luftën kundër varfërisë, në mbrojtjen
e mjedisit, në partneritetin ndërmjet qytetërimeve, globalizimin dhe rendin botëror,
dialogun ndërmjet feve dhe politikën. I rëndësishëm mesazhi i Patrikut të Moskës,
Alekseit II që theksoi se përvoja shumshekullore e Rusisë është e qartë: “ Njerëz
të feve të ndryshme mund të jetojnë paqësisht së bashku”. Ndërsa kardinali Pupard
theksoi: “Jemi këtu për të ndarë së bashku shqetësimet e kohës dhe për t’u impenjuar
në nxitjen e dialogut ndërkulturor e ndërfetar, në shërbim të mbarë njerëzit, Takimi
i Moskës do të pëfundojë me një “Deklaratë” që do t’u dërgohet udhëheqësve të G.8,
gjatë takimit të rangut të lartë, që do të mbahet nga 15 deri më 17 korrikun e ardhshëm
në Shën Pieterburg.