2006-07-03 19:27:31

“Miqësia ndërmjet lojtarëve luan rol vendimtar për të fituar një kampionat botëror.” Kështu shprehet Gigi Riva në mikrofonin e Radio Vatikanit në prag të ndeshjes Itali-Gjermani.


(3.7.2006 R.V.)Nesër në Dortmund do të diskutohet gjysëmfinalja e parë e Kampionatit Botëror, Itali-Gjermani. Ndërsa të mërkurën do të jetë radha e Francës dhe e Portugalisë, kurse finalja do të luhet të dielën me 9 korrik. Do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan për të nënvizuar rëndësinë e disiplinës sportive më të dashur të planetit. Më gjerësisht në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Gigi Riva, ish-futbollist, shoqërues i kombëtares italiane në Gjermani.


Përgjigje: Në përgjithësi ishte një botëror mjaft spektakolar, mbase me pak gola por pati edhe ndeshje interesante dhe shumë të bukura. Është e qartë, pjesa më e bukur duhet të vijë tani me finalen, tashti që në fushë do të ndeshen skuadrat që kanë treguar se janë më të mirat.

Pyetje: Gjithnjë flitet për shpirtin e grupit si një element vendimtar që një skuadër futbolli të ketë sukses. Sa është e rëndësishme, sipas jush, një vlerë si miqësia kur flasim për këto nivele profesionalizmi?

Përgjigje: Është vendimtare. Kemi në dispozicion 23 lojtarë që janë më të mirët në kuptimin absolut në Itali, sepse nëse janë në kombëtare do të thotë se janë më të mirët. Nëse kjo nuk shoqërohet edhe me një miqësi të sinqertë, besnike dhe korrekte është e vështirë të krijosh të ashtuquajturin “grup” dhe të arrish suksese me këtë skuadër. Besoj se fjala “miqësi” ecën para me të njëjtin hap si edhe sporti. Sporti duhet jetë pikërisht lojë skuadre dhe lidhje miqësore, të cilat në një garë janë vendimtare.

Pyetje: Siç dihet ndeshja ndërmjet Italisë dhe Gjermanisë do të ndiqet edhe nga një spektator i veçantë, Papa Benedikti XVI, i cili – sipas fjalëve të sekretarit të tij – do të bëjë tifozllëk për të dyja skuadrat.

Përgjigje: Papa nuk duhet të ndërhyjë për asnjërën, në mënyrën më absolute! Duhet të jetë Papa i të gjithëve, dhe është Papa i të gjithëve! Presim asnjanshmëri të plotë!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.