2006-06-30 17:25:25

Të mbrohen vlerat, si ajo e familjes dhe e jetës njerëzore, shpirt i popujve, nga të cilat nuk mund të hiqet dorë: janë fjalët e Papës drejtuar ambasadorit të ri të Uruguait pranë Selisë së Shenjtë


RealAudioMP3 (30.6.06 RV)Vlerësimi i familjes, mbrojtja e jetës njerëzore, ndihma që Kisha duhet t’u japë të varfërve e në mënyrë të veçantë emigrantëve - ishin tri temat kryesore që preku Papa në fjalimin drejtuar Mario Kajota Huan Bosko Xapetinit, ambasador i ri i Uruguait pranë Selisë Apostolike.
“Vlerat më të larta, të rrënjosura në zemrat e njerëzve, janë si shpirti i popujve”. Kështu Benedikti XVI vuri theksin mbi rëndësinë e këtyre vlerave të padiskutueshme si jeta dhe familja, bazë e zhvillimit të plotë të dinjitetit të njeriut. Papa shprehu shqetësimin e tij edhe për disa prirje, që përpiqen ta kufizojnë vlerën e paprekshme të vetë jetës njerëzore, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme. U ndal, pastaj, tek kurthet që po i ngrihen martesës ndërmjet një burri e një gruaje dhe familjes. Kisha – ripohoi Ati i Shenjtë – promovon kulturën e jetës, e jo vetëm për arsye thjeshtë konfesionale. Me këto shqetësime të Kishës – shtoi Shenjtëria e tij- bashkohen edhe shumë të tjerë që kanë arsye etike e racionale.
Benedikti XVI shpjegoi se disa nga mjetet e komunikimit e nxijnë ose e venë në lojë vlerën e lartë të martesës e të familjes. E duke vepruar kështu, favorizojnë egoizmin e çorientimin, në vend të bujarisë e të flijimit, që janë të nevojshme për ta ruajtur këtë qelizë të dorës së parë të bashkësisë njerëzore. Prandaj ripohoi se familja duhet ndihmuar për t’i kryer detyrat e veta të domosdoshme. Nga ana tjetër, vërejti se duhen respektuar të drejtat e familjes e se nuk mund të barazohen me të drejtat që pretendojnë format e tjera të bashkimit, të cilat duan t’ia zenë vendin.
Më pas Papa preku edhe problemin e varfërisë. Procesi i globalizmit – nëvizoi Ati i Shenjtë – ka krijuar mundësi të reja, por edhe rreziqe të reja, që duhen përballuar nga të gjitha kombet së bashku. Posaçërisht qeveritë duhet t’i respektojnë të drejtat e njeriut e sidomos, të drejtat e emigrantëve, që detyrohen të lënë vatrat e tyre, në kërkim të një jete më të mirë. Në rrethana të tilla – përfundoi Shenjtëria e Tij – Kisha e konsideron ushtrimin e bamirësisë si një përmasë themelore të misionit të saj. Prandaj Kisha bashkëpunon me institucione të ndryshme publike, në mënyrë që njerëzve, të cilët kërkojnë ndihmë, mos t’u mungojë kurrë një dorë mike, që shtrihet drejt tyre për t’i ndihmuar në kapërcimin e vështirësive. Ambasadori i ri Uruguait pranë Selisë së Shenjtë, Mario Huan Bosko Kajota Xapetini ka lindur në vitin 1936 në Montevideo. Është burrë i martuar me pesë fëmijë, i diplomuar në filozofi. Aktualisht është kryetar i Partisë Demokristiane dhe drejtor i “Qëndrës Françeskane të Dokumentimit Historik” për Amerikën Latine. Ka qenë edhe Ministër i Urdhërit Françeskan Shekullar të Uruguait.







All the contents on this site are copyrighted ©.