2006-06-30 17:25:37

Në Sallën e Palit VI - takim festiv i Papës me kryeipeshkvijtë që morën Palion


(30.6.2006 RV)Atmosferë festive sot në Sallën e Palit VI në Vatikan: Benedikti XVI u takua me kryeipeshkvijtë metropolitë, që morën dje Palion dhe me familjarët, miqtë e përfaqësuesit e dioqezave të tyre.
Gëzimi e përzemërsia ishin dy ndjenjat që ranë më shumë në sy gjatë këtij takimi në Sallën e Palit VI. Ndërmjet 27 ipeshkvijve që morën dje Palion, spikatën kardinali Kreshencio Sepe, kryeipeshkëv i ri i Napolit dhe kardinali Horhe Liberato Uroza Savino, kryeipeshkëv i Karakasit.
Kujtojmë se 11 nga 27 metropolitët e rinj vijnë nga Amerika, 8 nga Evropa, 5 nga Afrika e 3 nga Azia.
“Larmia e vendeve prej nga vijnë, shpreh natyrën katolike të Kishës: nga të katër anët e tokës besimtarët e Kishave të veçanta e ndjejnë veten të lidhur me Selinë e Shën Pjetrit me një lidhje të posaçme, e cila shprehet edhe në simbolin liturgjik të palios, që morën Metropolitët e tyre”.
Kështu u shpreh Papa dhe më pas shpjegoi domethënien e Palios: stolë e thurur me lesh qengji, simbol i Jezusit, Qengjit të Hyjit që shlyen mëkatet e botës, Bariut të Mirë, që ruan grigjën e vet të dashur. Zoti – tha Papa- vijon të kujdeset për popullin e vet, të cilin nuk e lë kurrë pa barinj e prijës të sigurtë.
“Nuk mund të mos ndërgjegjësohemi se secili nga ne, sipas frymëzimit, është i thirrur të punojë me zell në vreshtin e vet, për të qenë kështu të gjithë, gjymtyrë të gjalla të Korpit të tij mistik, që është Kisha. Ne përdoremi si gurë të gjallë për ngritjen e një ndërtese shpirtërore – na kujton Shën Pjetri Apostull – që të ofrojmë flije shpirtërore të pëlqyeshme për Zotin, përmes Jezu Krishtit”.
Në përfundim të takimit, Papa u lut Virgjërës Mari, Nënës së Kishës, t’i ndihmojë barinjtë për t’i qëndruar gjithnjë besnikë misionit të tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.