Papa: “Me 30 nëntor do të jem në Turqi te Bartolomeu I.”
Benedikti XVI konfirmoi sot vullnetin e tij për të shkuar në Stamboll me 30 nëntor,
ditën e Shën Andreut, për t’u takuar me patrikun ekumenik Bartolemeun I. “Shpresoj
- tha Ati i Shenjtë duke pritur në audiencë delegacionin e dërguar sot në Vatikan
nga vetë patriku për festën e Shën Pjetrit e Shën Palit – të mund të realizoj një
shtegtim apostolik në Turqi, vend i lashtë dhe me kulturë të pasur, vend fisnik në
të cilin jetuan shumë etër të shenjtë të traditës sonë kishtare, teologjike dhe shpirtërore.”
Udhëtimi u caktua, saktësoi Papa “në përgjigje të ftesës së hartuar nga autoritetet
e vendit, të patriarkanës dhe nga bashkësia katolike lokale.” “Kjo do të më lejojë
– shpjegoi Papa — të marr pjesë në kremtimet me rastin e festës së Shën Andreut Apostull,
vëlla i Pjetrit. Duke përsëritur gjestin e Paraardhësve të mi të nderuar, të Palit
VI dhe të Gjon Palit II, në rastin e vizitës së tyre në Fanar, për mua do të jetë
një gëzim të takohem me shenjtërinë e tij Bartolomeun I, duke i kthyer kësisoj vizitat
që ai pati mirësinë të kryejë këtu në Romë”. Urimi i Papës është që “ky shkëmbim
reciprok të forcojë vëllazërimin kishtar dhe të lehtësojë bashkëpunimin në nismat
tona të përbashkëta.” Pastaj Papa i drejtoi metropolitit Joanis dhe anëtarëve të
tjerë të delegacionit përshëndetjen e Shën Pjetrit: “Hiri e paqja ju qofshin dhënë
juve me bollëk në të njohurit e Atit dhe Jezusit, Zotit tonë.”