Në lutjen e Engjëllit të Tënzot – ripohimi i Papës se Pjetri e pasardhësit e tij janë
në shërbim të unitetit të Popullit të Zotit
(29.6.06.R.V.)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur pas Meshës solemne,
duke përshëndetur përsëri delegacionin e dërguar nga Patriku Ekumenik i Kostantinopojës,
Bartolomeu I për festën e Apostujve Pjetër e Pal, Benedikti XVI iu lut Zotit për dhuratën
e bashkimit të plotë të kishave të krishtera. Prania e delegacionit ekumenik – shtoi
Papa – e bën edhe më të madh gëzimin tonë. T’i lutemi Virgjërës Mari, Mbretëreshës
së Apostujve – vijoi Ati i Shenjtë – që me ndihmën e saj e duke ecur në gjurmët e
Shën Pjetrit e të Shën Palit, Kisha që është në Romë dhe gjithë populli i Zotit, t’i
japin botës dëshminë e bashkimit e të përkushtimit të guximshëm në shërbim të Ungjillit
të Krishtit. Në fjalimin e shkurtër, që i parapriu lutjes mariane, Ati i Shenjtë
kujtoi edhe se martirizimi i Shenjtorëve Pjetër e Pal konsiderohet si akt i mirëfilltë
i lindjes të Kishës së Romës. “Të dy Apostujt – vijoi Benedikti XVI - dhanë
dëshminë e tyre më të lartë pothuajse në të njëjtën kohë e në dy vende fare pranë
njëri-tjetrit. Shën Pjetri u kryqëzua këtu, në Romë, e po në Romë iu pre koka edhe
Shën Palit. Gjaku i tyre u derdh gati njëherësh, duke u bashkuar simbolikisht në një
dëshmi të vetme për Krishtin”. E kjo e shtyu Shën Ireneun, ipeshkvin
e Lionit, në gjysmën e shekullit të dytë, të fliste për Kishën e themeluar në Romë
nga dy apostujt e lavdishëm, Pjetri e Pali, ndërsa në Afrikën veriore Tertuliani brohoriste:
“Sa e lume është Kisha e Romës! Ishin vetë apotuj që derdhën në të, me gjakun e tyre,
krejt doktrinën”. “E pikërisht për këtë arsye - shpjegoi Papa – pasardhësi
i Shën Pjetrit Apostull kryen një mision të posaçëm në shërbim të unitetit doktrinor
e baritor të popullit të Zotit, të përhapur në të katër anët e botës”. Në këtë
kontekst - sipas Papës - kuptohet edhe më mirë riti që u kremtua sot paradite gjatë
Meshës në bazilikën e Shën Pjetrit, me dorëzimin e palios 27 kryeipeshkvijve të rinj
metropolitë, shprehje konkrete e bashkimit të këtyre barinjve me pasardhësin e Shën
Pjetrit. Duke i përshëndetur kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë, Papa i ftoi të gjithë
besimtarët të luten për ta e për kishat që u janë besuar.