2006-06-29 15:18:45

Krishti ngadhënjen, edhe pse Kisha shkundullohet nga era e ideologjive: kështu u shpreh Papa në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal


(29.6.06.R.V.)RealAudioMP3 “Kisha, e në te Krishti, vuan edhe sot, vijon të tallet e të fshikullohet me kamxhik; bëhen përsëri përpjekje ta nxjerrin jashtë nga bota. Por pikërisht në Kishën e vuajtur ngadhënjen Krishti, dëshira e të cilit është që nxënësit e tij, të bashkuar të pijnë së bashku në të njëtin Kelk e të hanë së bashku Bukën që është vetë Zoti! E ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo fe të heshtë; duhet t’i japim gjithnjë guxim të ri, edhe përballë Kryqit e të gjitha kundërshtive të botës. Këtë theksoi Benedikti XVI në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, pajtorë të Qytetit të Amshuar, që u kremtua sot në Romë.
Kremtimin eukaristik solemn në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan e udhëhoqi Papa Benedikti XVI, në bashkëkremtim me një numër të madh kardinajsh, ipeshkvijsh e meshtarësh.
Në homelinë e rastit Ati i Shenjtë, duke u bazuar mbi tre episode ungjillore, shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut, i Shën Lukës dhe i Shën Gjonit, vuri theksin mbi misionin që Krishti i besoi Shën Pjetrit për t’i prirë Kishës në udhët e botës.
Në Ungjillin e Shën Mateut – kujtoi Papa - pasi Shën Pjetri e njeh Krishtin si Mesi, Zoti i beson detyrën e tij të posaçme përmes tre simboleve: shkëmbit, që bëhet guri i themelit, çelësave dhe misionit për të lidhur e për të zgjidhur. Pa u ndalur në komentin e këtyre figurave, të cilat Kisha i ka kujtuar në mënyrë gjithnjë të re në rrjedhë shekujsh, Ati i Shenjtë foli kryesisht për mjedisin gjeografik dhe rrethanat historike në të cilat u thanë këto fjalë. Premtimi bëhet pranë gurrave të Jordanit, në kufijtë e tokës judaike, ku fillojnë trojet e paganëve. Çasti i premtimit shënon një kthesë vendimtare në misionin e Jezusit: tani Zoti ecën drejt Jeruzalemit, drejt Qytetit Shenjt, drejt Kryqit. Jeruzalemi e Kryqi lidhen në mënyrë të pazgjidhshme dhe tregojnë vendin shpirtëror të parisë, të vetë Kishës: Krishti vijon të ecë drejt Kryqit, drejt poshtërimit të Shërbëtorit të Zotit të vuajtur e të mbytur, por njëkohësisht është gjithnjë për udhë drejt hapësirës pa fund të botës, për ku na prin si i Ngjallur, që në botë të ndrisë drita e Fjalës së tij dhe prania e dashurisë së tij; është për udhë, që përmes tij, Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, të vijë në botë vetë Hyji! Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, dhe shtoi: - Për Kishën e Premtja e Madhe dhe Pashkët janë gjithnjë bashkë.
“Kisha, e në te Krishti, vuan edhe sot. Në të Krishti vijon të tallet e të fshikullohet me kamxhik; bëhen përsëri përpjekje ta nxjerrin jashtë nga bota. E përsëri barka e vogël e Kishës shkundullohet nga era e ideologjive të cilat, me ujërat e tyre, depërtojnë në të e duket sikur do ta fundosin. Por pikërisht në Kishën e vuajtur ngadhënjen Krishti. Pavarësisht nga të gjitha, besimi në Të vijon të marrë përsëri e përsëri forcë të re. Edhe sot Zoti u jep urdhër ujërave e mbetet Zot i elementeve. Ai është përsëri në barkën e tij, në barkën e Kishës”.
Këtë theksoi Papa e më pas shpjegoi se edhe ministeri i Pjetrit nga njëra anë na zbulon ligështinë e njeriut, por gjithnjë së bashku me forcën e Zotit.
Simbolin e dytë për të theksuar parinë besuar Shën Pjertit - tha Benedikti XVI e gjejmë në Ungjillin e Shën Lukës e pikërisht në skenën e Darkës së Mbrame kur, pasi themelon Eukaristinë, dmth vetë Kishën, Krishti i kujton Pjetrit se shejtani i ka kërkuar Zotit t’i shoshitë nxënësit e tij, ashtu si shoshitet gruri e se ai vijon veprën e vet në botë. Në ketë mënyrë tunduesi i Zotit e i njeriut dëshiron të provojë se feja e vërtetë nuk ekziston e se njeriu synon gjithnjë vetëm përfitimin vetjak. E ne – nënvizoi Papa – na duket se Zoti nganjëherë i jep pak si tepër liri shejtanit; se i jep lejën të na trondisë tmerrësisht e se kjo troshtitje i kapërcen forcat tona e na dërmon. E atëherë ngremë përsëri zërin kah Zoti e i lutemi ta shikojë mjerimin e nxënësve të vet e të na mbrojë. E Jezusi – pohoi Ati i Shenjtë - vijon të na japë përgjigjen që i pati dhënë Pjetrit: “Jam lutur për ty, që feja jote të mos mungojë!”. Kjo lutje e Jezusit është njëkohësisht premtim e detyrë.
“Nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo fe të heshtë; duhet t’i japim gjithnjë guxim të ri, edhe përballë Kryqit e të gjitha kundërshtive të botës: e kjo është detyra e Pjetrit. Prandaj Zoti nuk lutet vetëm për fenë personale të Pjetrit, por për fenë e tij si shërbim ndaj të tjetrëve – shpjegoi Papa - e në vijim nënvizoi se Kisha është bashkim eukaristik, dmth bashkim në Korpin e Zotit. Detyra e Pjetrit është t’i prijë këtij bashkimi universal e ta bëjë gjithnjë të pranishëm në botë edhe si bashkim i dukshëm”.
Më pas Benedikti XVI u ndal tek simboli i tretë, që gjindet në Ungjillin e Shën Gjonit. Zoti është ngjallur e si i Ngjallur, ia beson Pjetrit grigjën e vet. Edhe këtu Kryqi është i pandashëm nga Ringjallja. Zoti e paralajmëron Apostullin se po shkon drejt kryqit.
E – theksoi me forcë Papa duke treguar bazilikën më madhështore të krishterimit, plot me besimtarë, stolisur për festë –
“…në këtë bazilikë, lartuar mbi varrin e Shën Pjetrit – një varr varfanjakësh – shohim qartë sesi Zoti fiton gjithmonë, e pikërisht përmes Kryqit. Pushteti i tij nuk është pushtet i kësaj bote. Është pushteti i së mirës, i vërtetësisë dhe i dashurisë. E dashuria është gjithnjë më e fortë edhe se vetë vdekja. Po, është i vërtetë premtimi tij: pushteti i vdekjes, portat e skëterrës nuk do të ngadhënjejnë kurrë kundër Kishës, që Krishti e themeloi mbi Shkëmbin, mbi Pjetrin e që Ai vetë vijon ta themelojë personalisht”.
Në vijim Ati i Shenjtë përshëndeti 27 Kryeipeshkvijtë metropolitë, të cilëve pas pak do t'u dorëzonte palion, shenjë e lidhjes së ngushtë me Selinë e Shën Pjetrit si dhe delegacionin e Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, udhëhequr nga Hirësia e Tij Joanis Zizioulas, metropolit i Pergamos, njeri nga dy kryetarët e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar të dialogut ndërmjet Kishës ortodokse e Kishës katolike. Benedikti XVI i shprehu mirënjohjen Patrikut Ekumenik, Bartolomeut I dhe Sinodit të Shenjtë, për këtë shenjë të vëllazërisë. E një prani e tillë e bën edhe më të qartë dëshirën dhe impenjimin për të ecur me ritme më të shpejta në rrugën drejt bashkimit të plotë që Krishti e ka kërkuar për të gjithë nxënësit e tij. Benedikti XVI kujtoi dëshirën e shprehur nga Patriku Atenagora dhe nga Papa Pali VI
“….për të pirë së bashku në të njëtin kelk e për të ngrënë së bashku Bukën, që është vetë Zoti!”.
Duke falënderuar Zotin që të krishterët janë të bashkuar në pohimin “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”, që pati bërë Pjetri në Çezare të Filipit, në emër të të gjithë nxënësve, në përfundim të homelisë Papa theksoi me forcë: “Këtë pohim duam t’ia kumtojmë edhe ne së bashku botës së sotme. Na ndihmoftë Zoti të jemi, pikërisht në këtë orë të historisë sonë, dëshmitarë të vërtetë të mundimeve të Krishtit e pjesëtarë të lumnisë së ardhshme.
Në Meshën Shenjte të Solemnitetit ishte i pranishëm një delegacion i Patriarkanës ekumenike të Kostantinopojës, në shkëmbim të vizitës që bën çdo vit përfaqësia e Selisë së Shenjtë në Stamboll më 30 nëntor, në solemnitetin e Shëna Ndreut. Sivjet delegacionin e dërguar në festë nga Patriku ekumenik i Kostantinopojës, Bartolomeu I, e kryesoi Hirësia e Tij Metropoliti Joanis Zizioulas, i shoqëruar nga peshkopi i Kalistos, arkimandriti Dyonisios. Gjatë kremtimit Shenjtëria e Tij u dorëzoi palion 27 kryeipeshkvijve metropolitë nga vise të ndryshme të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.