2006-06-27 17:35:03

Sot Shtëpia Botuese e Vatikanit publikoi tekstin e fjalimit të Benediktit XVI në Aushvic. Është rast për të reflektuar mbi Shoah dhe mbi pyetjet që s’pushon s’i bëri njeriu vetvetes për të keqen absolute


RealAudioMP3 Sot ndër libraritë doli vëllimi: “Zgjohu! Mos e harro krijesën tënde, njeriun! Benedikti XVI, Gjon Pali II, Kisha katolike e Shoah”. Është një përmbledhje që i ofron lexuesit tekstin e fjalimit të Benediktit XVI në Aushvic, fjalimin e Gjon Palit II në kampin e përqëndrimit të Brzezinkës më 1979 dhe mesazhin pak të njohur, sepse botuar para vdekjes së Papës Vojtila, kushtuar 70-vjetorit të lirimit të të burgosurve të Aushvic-Birkenaut. Së fundi, si pasojë, ripropozohet i plotë teksti “Ne kujtojmë”, një reflektim mbi Shoah si dhe paragrafi i Deklaratës konciliare “Nostra Aetate” mbi fenë hebraike. Hyrja e vëllimit është shkruar nga prefekti i Bibliotekës Ambroziane, imzot Gjanfranko Ravazi i cili, i intervistuar nga Radio Vatikani, rikujton domethënien e vizitës historike të Benediktit XVI në Aushvic:
Përgjigje: - Ishte si një shtegtim i udhëhequr. Edhe herët tjera kam pasur përshtypjen se po jetoja një përvojë tronditëse, por kurrë si atë ças, përmes figurës të heshtur të Papës, i cili përgatitej të jepte një mesazh, në sa u printe të gjithë atyre që e jetuan, duke kaluar nëpër atë vend, këtë ngjarje të jashtzakonshme. Këtë emocion e krijonte vetë figura e vetmuar e Papës, për më tepër e një pape gjerman. Pastaj fjalët e tij, të cilat tunden ndërgjegjet e të gjithë njerëzve me pikëpyetjet që shkonin përtej shpjegimit teologjik, duke u bërë pyetje drejtuar njeriut përballë misterit të së keqes e të dhimbjes.
Pyetje: - “Ku ishte Zoti?”: heshtja e Atit qiellor përballë tmerreve të Aushvicit të trondit thellë. Ndjenjë, kjo që e provoi edhe Benedikti XVI gjatë vizitës në Aushvic….
Përgjigje: - Është zemra, madje do të thosha, jo vetëm teologjike, por edhe njerëzore e këtij fjalimi; në këtë pyetje ndjehet frymëmarrje universale. Po citoj romanin “Nata” të Elie Visel, i cili kujton një përvojë të jetës së tij: një mbrëmje, duke u kthyer nga puna e detyruar, të internuarit në një lager nazist, zbulojnë tre të varur në sheshin e barakave; dy burra e një fëmijë. Fëmija nuk kishte vdekur endè, ishte gjallë. Gjuha, që i varej nga goja, ishte ende e kuqe e sytë nuk ishin shuar. Atëherë, njëri nga të burgosurit që po shikonin këtë skenë makabre, lëshoi një klithmë çjerrëse: ‘Ku është Zoti i mirë? Ku!? E kësaj pyetjeje i përgjigjet vetë autori: “Ndjeva brënda meje një zë që më përgjigjej: “Ja: është i varur atje, në atë trekëmbësh!”. Në këtë dritë - mendoj unë – mund të gjindet përgjigja e krishterë, që e shikon të varur në trekëmbësh vetë Birin e Zotit, i cili nuk u afrohet viktimave thjeshtë si ngushëllues, por është ai vetë viktimë, është vetë i varur; e nuk duhet harruar se kryqëzimi ishte dënimi më i turpshëm, dënimi i skllevërve.
Pyetje: - Dikush ka thënë: më tepër se fjalët, vlen gjesti që bëri Papa, bir i popullit gjerman, duke vizituar Aushvicin…
Përgjigje: - Është e vërtetë! Dëshiroj të bëj një paralelizëm që mund të duket jashtë teme: vitet e fundit, muajt e fundit të Gjon Palit II, kur praktikisht ishte – mund të themi, një prani fizike në dukje; kur mezi fliste, patën ndikim të thellë, do të thosha se hapën plagë në ndërgjegjet dhe në zemrat e shumë njerëzve. Ja, një gjë e tillë sipas meje, ndodhi edhe në Aushvic. Pa dyshim që Papa tha fjalë të jashtzakonshme, por gjëja më e fortë – e këtë e shikoja edhe nga televizioni e nga fotografitë – është pikërisht kjo prani vetmitare, prania e një njeriu të thjeshtë, figura e bardhë në një botë tmerri, gjaku, në një botë të zezë, të errët, skëterrore. Kjo prani, besoj unë, ndikoi njëlloj si prania e heshtur e Gjon Palit II.
Pyetje: - Dmth kritikat që iu bënë fjalimit të Papës nuk e patën parasysh pikërisht rëndësinë e kësaj pranie?
Përgjigje: - Është e vërtetë! Nga ana tjetër e dimë mirë se çështjet historike mund të interpretohen në mënyra nga më të ndryshmet; por përtej këtyre polemikave është, sipas meje, ky akt: intepretimet historike që kanë të bëjnë me shpjegimin e ngjarjeve njerëzore, duhet të jenë, po, por në fund të faqes. Elementi themelor është kthimi tek ndërgjegja, tek kuptimi i thellë dhe i fundmë i historisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.