Predikimi i Shën Palit është një realitet që ia ndryshon njeriut jetën: kështu u tha
në hapje të Simpoziumit X kushtuar Apostullit të Popujve
(27.6.2006 RV)Predikimi i Shën Palit është një realitet që ia ndryshon njeriut
jetën, i krijon një mendësi të re, e nxit të ballafaqohet e të dialogojë: theksoi
vikari apostolik i Anatolisë, Luigji Padoveze, në fjalimin me të cilin hapi punimet
e Simpoziumit X kushtuar Apostullit të Popujve, që po mbahet këto ditë në Tars, vendlindje
e Shenjtit. Në Tars të Turqisë vijojnë punimet e Simpoziumit X kushtuar Shën Palit,
organizuar nga Instituti Françeskan i Përshpirtërisë të Universitetit Antonianum
të Romës me temë “Pali ndërmjet Tarsit e Antiokisë: arkeologji, histori e fe”. Para
se të fillonin diskutimet, u kremtua një Meshë shenjte në kishën e Shën Palit, kryesuar
nga imzot Luigji Padoveze, vikar apostolik i Anatolisë. Prelati nënvizoi se feja e
Shën Palit është një realitet që e ndryshon jetën e njeriut. Në punimet e Simpoziumit,
pas një vështrimi të shpejtë panoramik mbi Cilicinë para e pas Shën Palit, diskutuesit
u përqëndruan kryesisht mbi dy argumente shumë interesante: mbi veprimtarinë e Palit
në bashkësitë e para të krishtera dhe mbi figurën e Apostullit si predikatar i Lumnive.
Duke folur mbi veprimtarinë e palodhshme të Apostullit, u vu në dukje se Pali u përpoq
më shumë se të gjithë apostujt për kumtimin e Ungjillit, siç e pohon edhe ai vetë
në letrën drejtuar Korintianëve, e kryesisht sepse predikoi ndërmjet paganëve, të
cilëve predikimet e tij u dukeshin të vështira e të pakuptueshme. Ndërsa ata që mund
ta kuptonin, dmth judejtë, u drejtoheshin apostujve të tjerë. Një reflektim i
posaçëm u bë mbi Lumnitë e të pagëzuarve e të atyre që pasurojnë shpirtin me dijen
e Krishtit. Simpoziumi do të përfundojë më 29 qershor në Antioki, me një kremtim
ekumenik në shpellën e Shën Pjetrit me rastin e bajramit të Shën Palit, fjalë turke
që do të thotë festa e Shenjtit, të cilin e respektojnë besimtarët e të gjitha konfesioneve
fetare që banojnë në këtë qytet.