2006-06-27 18:19:02

Lajme shoqërore-politike: 27 qershor


(27.6.2006 R.V.)RealAudioMP3 Shërbimet sekrete izraelite njoftuan se ushtari Xhilad Shalid, rrëmbyer nga palestinezët të dielën e shkuar në Rripin e Gazës, është në duart e grupit ekstremist të Hamasit dhe se ministri i jashtëm dhe kryeministri palestinez po ndërmjetësojnë për lirimin e tij. Gjithashtu qeveria izraelite lajmëroi se nuk ka ndërmend të bisedojë me terroristët. Trupat izraelite janë grumbulluar përgjatë kufirit me Rripin e Gazës dhe pritet të sulmojnë militantët e Hamasit.


Me 22 gusht do të hapet procesi i dytë gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Sadam Hysein për genocidin kundër kurdëve gjatë fushatës së Anfalit në vitet ‘80. Vendimi u njoftua nga Gjykata e Lartë e Irakut ndërkohë që dhuna në vend vijon. Në Kirkuk, në veri, një bombë shkaktoi vdekjen e së paku 3 personave. Ndërsa numri i të vrarëve nga guerrilasit në Bakubë arriti në 22.


Dy ushtarë britanikë, katër afganas dhe 29 talebanë mbetën të vrarë në Afganistan në luftimet ndërmjet forcave ndërkombëtare dhe terroristëve talebanë. Kështu njoftuan sot paradite autoritetet amerikane dhe ato afgane. Operacionet për spastrimin e talebanëve vazhdojnë.


Asamblea parlamentare e Këshillit të Evropës që po mbahet në Strasburg por shqyrton çështjen e fluturimeve sekrete të CIA-s, bazat dhe destinacionet e aeroplanëve që transportonin terroristë islamikë. Në të paktën 10 raste janë vënë re shkeljet e të drejtave të njeriut. Gjatë asamblesë është vënë në dukje fakti se SHBA-ë kanë arritur të kryejnë gjithë këto fluturime vetëm me mbështetjen e disa vendeve evropiane.


“Negociatat me Amerikën për ne nuk sjellin asnjë përfitim dhe ne nuk kemi nevojë për këto lloj bisedimesh”. Kështu u shpreh për televizionin shtetëror iranian Ajatollah Khamenei, udhëheqësi i revolucionit islamik në Iran. Më pas Khamenei vijoi duke thënë se iranianët nuk do të negociojnë të drejtën e tyre për të përdorur energji bërthamore.


Pas takimit të sotëm në Tiranë ndërmjet presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiut dhe atij të Kosovës Fatmir Sejdiut në konferencën e dhënë për shtyp presidenti Moisiu u shpreh se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë për pavarësinë e plotë të Kosovës. “Një Kosovë e pavarur siguron një zhvillim paqësor në rajonin tonë” tha përpara gazetarëve presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.”


Përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën deklaruan se qeveria dhe autoritetet vendore në Kosovë kanë bërë shumë në drejtim të përmbushjes së 13 pikave të caktuara në maj nga ky grup për rritjen e demokracisë dhe të trajtimit të barabartë të pakicave kombëtare në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.