2006-06-27 17:28:06

Drejtësia, dialogu e paqja në qendër të Asamblesë së dytë sinodale të posaçme për Afrikën


(27.6.2006 RV)Pajtimi, drejtësia e paqja janë tri shtyllat mbi të cilat duhet të ngrihet e sotmja dhe e ardhmja e Afrikës: u paraqitën sot, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, vijat orientuese të Asamblesë së dytë të posaçme të sinodit të ipeshkvijve për Kontinentin.
Kisha në Afrikë ëshë plot gjallëri dhe vijon të rritet. Ipeshkvijtë dhe bashkësitë japin, me autoritet, kontributin e tyre në zhvillimin e shteteve të veçanta në luftë kundër mjerimit e për zhvillimin e këtyre vendeve. Megjithatë mbeten ende shumë probleme të pazgjidhura, që nga varfëria, tek Sida e tek konfliktet e shumta të armatosura, që vijojnë ta shtrëngojnë ende kontinentin si në morsë. Kështu, me dritë-hijet e veta, kardinali Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Displinën e Sakramenteve, e pikturoi situatën në Afrikë, duke paraqitur para gazetarëve të pranishëm në Sallën e Shtypi të Vatikanit, Lineamentin, apo vijat parapërgatitore të Asamblesë së dytë të posaçme të sinodit të ipeshkvijve për Afrikën, kontientin që gjithnjë më shpesh quhet ‘i harruar’, në të cilin 53 kombe me probleme e sfida pak a shumë të njëllojta, përpiqen ta ngrenë ardhmërinë e tyre mbi themelet e drejtësisë e të pajtimit, për të siguruar kështu paqën, progresin e mirëqenien.
Duke kujtuar se Asambleja e parë e posaçme e ipeshkvijve afrikanë është mbajtur dymbëdhejtë vjet më parë, Kardinali Arinze shpjegoi se ka ardhur koha për të analizuar përsëri rrugën kishtare e shoqërore që është bërë në kontinentin, të cilin Benedikti XVI e ka quajtur: “Shpresë e madhe për Kishën”.
Një aspekt, që doli nga pyetjet e gazetarëve, ishte edhe ai i bashkëpunimit, në përgatitje të Asamblesë, me besimtarët e feve të tjera, posaçërisht lidhur me marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Kardinali Arinze dha këtë përgjigje:
Nuk ka paqe katolike, paqe myslimane a paqe të ndonjë besimi tjetër tradicional afrikan. Është në interes të njeriut, si i tillë, që të gjithë ata cilët besojnë në Zotin, të punojnë së bashku për paqen”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.