2006-06-26 17:33:02

Nënshtetësia universale dhe respektimi i të drejave të emigrantëve ishin në qendër të Forumit II Botëror për emigracionin, në Rivas të Spanjës


RealAudioMP3 (27.6.2006 R.V.)Përfundoi të shtunën e kaluar Forumi II shoqëror botëror i emigracionit. Ishin të pranishëm 3. 800 delegatë nga 90 vende të ndryshme, nga të pesë kontientet. Përfaqësonin 850 shoqata e lëvizje. Gjatë tri ditëve të punimeve u mbajtën disa seminare e tryeza të rrumbullakta me temë “Nënshtetësi universale dhe respektim i të drejave të emigrantëve”. U arrit në përfundimin se të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtën e nënshtetësisë universale dhe të zgjedhjes së vendit ku dëshirojnë të jetojnë. Prandaj vendet e pasura duhet të marrin masa urgjente për t’i dhënë fund një herë e mirë problemeve të shumta e të ndërlikuara që u krijojnë 180 milionë emigrantëve në mbarë botën.
Në përfundim të punimeve të Forumit, intervistuam Imzot Demetrio Valentinin, ipeshkëv brazilian i dioqezës së Jales San Paolo, kryetar i Karitasit brazilian dhe përgjegjës i baritorisë për emigrantët pranë Konferencës të ipeshkvijve të Brazilit, një nga relatorët kryesorë të këtij Forumi, që dëshmoi se emigracioni, e prej këndej edhe Forumi që iu kushtua, është një fenomen tepër aktual, që nuk mund të nënvleftësohet.
Përgjigje: - Është dëshmi që tregon sa i rëndësishëm është fenomeni i emigracionit, sot me përmasa botërore; mjafton të shikojmë statistikat – rreth 200 milionë emigrantë. E në se këto statistika flasin për 200 milionë, një numër edhe më i madh njerëzish është i lidhur me fenomenin e emigracionit. Mund të themi, atëherë, se emigracioni tregon qartë se bota nuk është në rregull e kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk mund të çohet para një globalizmi që ka dy karakteristika themelore: grumbullimin e kapitalit, të parasë - dhe shfrytëzimin e punës. Por, problemi duhet parë anasjelltas, me syrin e Doktrinës shoqërore të Kishës, që na mëson se nuk është e drejtë të punojë mbarë njerëzimi, për të përfituar vetëm 20% e njerëzve, siç ndodh sot. Ekonomia nuk duhet të shërbejë për të grumbulluar pasuri, për të pasuruar vetëm disa njerëz, që nuk ngopen kurrë me para, por duhet vënë shërbim të jetës njerëzore. Punëtorët duhet të fitojnë të drejtat e tyre dhe të mendojnë për ndërtimin e një ekonomie që vihet në shërbim të mbarë njerëzimit. Janë sfida tepër të mëdha. Duhen rifituar edhe vlerat e krishtera, duhet theksuar ajo që Ungjilli e thotë tepër qartë. Globalizimi që ka dashur Jezusi është krejt i ndryshëm nga ai i sotmi. Duhen rifituar, prandaj, motivacionet fetare, duhet menduar për një botë vëllazërore, për një globalizim solidariteti, ashtu si thotë Papa.
Pyetje: - Ç’rol luan Kisha në përpjekjen për t’i ndihmuar emigrantët, ata që nisen drejt vendeve të tjera e nuk kthehen më në vendin e vet?
Përgjigje: - Ndërmjet Kishës dhe emigrantëve ka ngjashmëri, sepse edhe Kisha paraqitet si shtegtare. Vetë Bibla është histori emigracioni. Prej këndej, mund të themi se nga emigracioni buron një mesazh shumë i qartë: bota duhet të mendohet mirë e pastaj të ecë përpara; të mos kënaqet me rrugën që ka bërë, edhe në se i duket se ka ecur mirë, sepse njerëzimi nuk është mirë. Atëhere Kisha është e thirrur të jetë e pranishme, të nxisë krijimin e një atmosfere mikrpritjeje, bashkëveprimi. Kisha është prani, e cila u jep kombeve shtytje për të përballuar problemet që paraqet globalizimi.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.