2006-06-26 19:53:53

Hapet në Nju Jork konferenca e OKB-së mbi planet për eliminimin e tregtisë ndërkombëtare të armëve të lehta.


(26.6.2006 R.V.)RealAudioMP3 Të përhapurit e kësaj dukurie shkakton çdo vit vdekjen e 300 mijë vetëve gjatë konflikteve të armatosura si edhe 200 mijë civilë për vrasje apo vetëvrasje. Po si mund t’i vihet kufi qarkullimit të armëve të lehta në botë? Mbi këtë flet Fabrizio Battistelli sekretar i përgjithshëm i organizatës “Arkivi i Çarmatimit”:

Përgjigje: Ekziston një plan i Kombeve të Bashkuara për parapërgatitjen e një traktati që më në fund do të rregullojë këtë treg të egër të të ashtuquajtuarave armë të lehta por krahas këtij plani ka edhe një tjetër, jo më pak të fuqishëm, të shumë prodhuesve, për të mos lejuar që të arrihet një farë rregullimi.


Pyetje: Nga shifrat del qartë rrezikshmëria e armëve të lehta, shumë më tepër se e armëve bërthamore. Pse vëmendja e bashkësisë ndërkomëbtare është përqendruar vetëm te këto të fundit?


Përgjigje: Mbase për faktin se armët e shkatërrimit në masë janë armë virtuale dhe në të vërtetë bëjnë dëm vetëm në planin politik dhe nuk kanë efekte në konfliktet e përditëshme dhe mbi të gjitha nuk përfaqësojnë një treg shumë të pasur sikundër është ai i armëve të lehta, të cilat janë ato që edhe përdoren në konfliktet reale. Sot këto kanë kapur shifrën prej 600 milionësh në krejt botën, shifër kjo e vlerësuar nga OKB-ja. Këtu prapa fshihen shumë interesa prandaj është shumë e vështirë t’i jepet fund këtij trafiku.


Pyetje: A ka vende që janë përgjegjëse në mënyrë të veçantë për tregtinë e armëve të kalibrit të vogël?


Përgjigje: Pjesërisht janë vendet e industrializuara më të përparuara. Ato klasike si SHBA-ës, Britania e Madhe, Franca dhe madje edhe Italia luajnë një rol shumë domethënës në prodhimin e armëve të lehta. Pastaj vijnë Rusia, Kina dhe në fund vendet e industrializimit të ri që po fillojnë të bëhen të gjalla në këtë lloj tregu.












All the contents on this site are copyrighted ©.