2006-06-23 17:52:52

“Nënshtetësi universale e të drejta”: kërkohen në Spanjë, në punimet e Forumit II shoqëror botëror të emigracionit


(23.6.2006 R.V.)Rivas, qytet me 55 mijë banorë pranë Madridit, kryeqytetit të Spanjës, është shndërruar këto ditë në kryeqytet botëror të atyre, të cilët mendojnë se mund të ndërtohet një botë tjetër, më e mirë e se kjo është urgjente dhe e nevojshme.
Forumi ështe një ngjarje me rëndësi të jashtzakonshme, gjë që e tregon edhe sasia e cilësia e pjesëmarrësve, ndërmjet të cilëve Gabriela Rodriguez Pizarro, ish-relatore e Kombeve të Bashkuara për të drejtat njerëzore të emigrantëve; Eduard Galiano, Imzot Demetrio Valentini, ipeshkëv i Jalis San Paolo e drejtues i baritorisë për emigrantët në Brazil dhe personalitete të tjera të njohura në betejën për mbrojtjen e të drejtave e atyre që enden nëpër botë në kërkim të kushteve më njerëzore të jetesës.
Në Forum marrin pjesë më se 800 delegatë ardhur nga 90 kombe të ndryshme. Pas Forumit të parë shoqëror botëror të emigracionit, mbajtur në janar të vitit 2005 në Porto Alegre, në Brazil, ky takim po bëhet traditë, në përpjekjen për të kërkuar rrugëzgjidhje për problemet e ndërlikuara të emigracionit në shkallë ndërkombëtare.
Më se njëqind shtëpi të Rivas kanë hapur portat për të mikpritur delegatët dhe pjesëmarrësit në Forum. Gjest simbolik, që është quajtur “Hapja portën e shtëpisë sate botës” - të cilit i shtohet parulla tashmë popullore “Mund të ndërtohet një botë tjetër”.
Qindra lëvize shoqërore, duke iu kundërvënë kritereve thjeshtë ekonomike, kanë nisur të mbrojnë modelin e një bote që ka si detyrë të dorës së parë mbrojtjen e njeriut. Sipas pjesëmarrësve në Forumin II botëror të emigracionit, nuk mund të mbyllen sytë e të kthehet koka në anë tjetër për të mos parë dëshprimin e miliona njerëzve që kërkojnë, larg vatrave të tyre, një jetë më të mirë.
Forumi u hap dje me fjalimin e kryetarit të bashkisë së Rivas e me një tryzë të rrumbullaktë në të cilën, ndërmjet të tjerëve, mori pjesë edhe një e re kamboxhiane, e shitur si skllave në tregun e prostitucionit.
Sot e në vijim do të mbahen rreth 50 veprimtari të ndryshme me karakter kulturor e shoqëror, që kanë gjithnjë në qëndër të vëmendjes, figurën e emigrantit.
 

 

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.