2006-06-23 17:43:21

Sot Kisha kremtoi solemnitetin e Zemrës së Krishtit


(23.6.2006 R.V.)Është përshpirtëri e përhapur në gjysmën e 1700-tës përmes Shenjtores Margerita Maria Alakok.
Me solemnitetin e Zemrës së Shuguruar të Jezu Krishtit, prej disa vitesh përkon edhe Dita e Shenjtërimit për Klerin. Nisma e ka zanafillën në vitin 1995, kur Gjon Pali II, duke pranuar propozimin e Kongregatës për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase. Sivjet u zgjodh tema e homelisë që mbajti Benedikti XVI të Enjten e parë të Madhe të papnisë “Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq”, fjalë që Jezusi ua tha nxënësve të Tij.
“Është festa në të cilën, në mënyrë të veçantë, lavdërojmë dashurinë e Hyjit” – theksoi në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Benedikti XVI. Festa lindi në shekullin XVII pas zbulimeve që i bëri Jezusi Shenjtes Margerita Alakok, rregulltare e Vizitacionit. Në vitin 1675 Krishti iu duk murgeshës, duke e ftuar ta përhapte flakën e dashurisë së Zotit e, duke ua treguar Kishave zemrën e tij, të kërkonte themelimin e një kulti publik dhe liturgjik. Ftuam sot në mikrofonin tonë regulltaren e Kuvendit të Vizitacionit në Romë, motër Klaudia Anjeza Paladino, për të na e shpjeguar kuptimin e kultit të Zemrës së Krishtit:

Përgjigje: - Në Zemrën e Krishtit adhurojmë dashurinë e Hyjit për njerëzimin, dëshirën e Tij për shëlbimin universal dhe mëshirën e tij të pambaruar.

Pyetje: - Ç’ do të thotë të jesh i devoçëm i Zemrës së Krishtit?

 
Përgjigje: - Do të thotë ta adhurosh Zemrën e Krishtit si seli të dashurisë së Zotit e të mëshirës së tij të pambaruar. Jezu Krishti e bëri të dukshme dashurinë e Atit përmes Zemrës së Tij njerëzore, të ndjeshme, plot me dashuri e mëshirë. Kulti publik liturgjik i Zemrës së Krishtit bazohet mbi zbulimet që vetë Zemra e Krishtit i bëri motrës sonë të shenjtë, Margerita Marisë e, para saj, edhe mistikëve të tjerë. Jezusi iu duk nën formën e një dielli të shkëlqyer e i tha këto fjalë: ‘Kjo zemër e shporuar mbi Kryq nga dashuria, në vend që të gjejë ndër njerëz dashuri e mirënjohje, gjen përbuzje, fyerje e deri blasfemi’. E Jezusi i tha rishtas: ‘E shpëtova botën me Kryqin e mundimeve të mia. E tani dua ta shpëtoj përsëri, duke i treguar Zemrën time, oqean i mëshirës sime të pambaruar’. E më pas Krishti kërkoi kultin, jo vetëm individual, por edhe publik e shoqëror, kultin liturgjik, me themelimin e festës së Zemrës së tij të Shuguruar ditën e parë pas tetëditshes të Solemnitetit të Korpit të Krishtit.

Pyetje: - Cilat janë veçantitë e përshpirtërisë të rregulltareve vizitantine?

 
Përgjigje: - Përvuajtëri e ëmbëlsi. Jezusi ka thënë: mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Dhe e ka quajtur Vizitacionin urdhërin më të dashur, sepse themeluesi e ka shprehur qartë që ky urdhër klaustral ka lindur nga Zemra e shporuar e Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.