2006-06-23 18:43:07

Kalendari liturgjik i 24 qershorit përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit


(24.6.2006 R.V.) Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.
Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grashë, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.
Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrrit, të nuses e të mikut të dhëndrrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndërr. Dashamiri i dhëndrrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”
Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë ( së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe linjda), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qëndra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenheim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunewalld që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.
   







All the contents on this site are copyrighted ©.