2006-06-22 17:05:48

Shqetësimi i Benediktit XVI për të krishterët e Lindjes së Mesme


(22.6.2006 R.V.)Sot, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në punimet e Asamblesë së 75-të të përgjithshme të ROAKO-së ( Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), Papa Benedikti XVI i nxiti t’u japin ndihmesën e vet bashkësive katolike lindore e posaçërisht atyre të Tokës Shenjte.
ROAKO (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), organizëm përmbledhës i Agjensive dhe Veprave të vendeve të botës, që impenjohen në mbështetjen financiare të sektorëve të ndryshëm, nga ai i ndërtimit të vendeve të kultit, tek bursat e studimit; nga institucionet edukative e shkollore, tek ato shoqëroro-shëndetësore, këto ditë organizoi Asamblenë e 75-të të përgjithshme. Ndërmjet temave në diskutim, u theksua posaçërisht roli i shkollave katolike në Tokën Shenjte dhe gjendja e të krishterëve në Iran.
E sot Papa Benedikti XVI, duke i pritur pjesëmarrësit e asamblesë në audiencë në Vatikan, u shprehu atyre mirënjohjen për shërbimin që kryejnë që nga viti 1968, duke u dhënë zë Kishave të traditave të ndryshme lindore dhe atyre latine në territoret që i janë besuar Kongregatës për Kishat Lindore, duke mbështetur veprimtaritë baritore, edukative dhe asistenciale e duke i ndihmuar në raste nevojash urgjente.
Lidhur me veprimtaritë bamirëse kishtare, Ati i Shenjtë porosit të punohet me edukatorët dhe veprimtarët e bamirësisë “për t’u edukuar zemrat”. E kështu mund të arrihet në atë takim me Zotin, në Krishtin, që e bën njeriun ta hap zemrën e ta shikojnë dashurinë për të afërmin jo si urdhërim që jepet nga jashtë, por si pasojë e fesë, e cila bëhet veprën dashurie.
Papa u drejtoi një përshëndetje tepër të përzermërt bashkësive katolike lindore e posaçërisht atyre të Tokës Shenjte, të cilat ndihmohen nga ROAKO. Shprehu, më pas, dëshirën e vet e të gjithë të krishterëve që në tokën ku lindi Jezusi të mos mungojë kurrë një bashkësi e krishterë plot gjallëri. Duke i njohur vështirësitë që po kalon kjo bashkësi, atmosferën e pasigurisë në të cilën jeton, mungesën e punës, kufizimet e panumërta, që kanë si pasojë rritjen e varfërisë, Ati i Shenjtë theksoi se të gjitha këto pengesa e vështirësi e bëjnë të paqartë ardhmërinë edukative, profesionale e familjare të breznive të reja, të cilat tundohen fuqimisht ta braktisin përgjithnjë tokën ku kanë lindur. Një gjë e tillë vërehet edhe ndër zona të tjera të Lindjes së Mesme si Iraku e Irani, ku kryen veprimtarinë bamirëse ROAKO, që Papa e nxiti të vijojë me zell ndihmën në këto zona, sidomos në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.