2006-06-21 18:41:12

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI porositi: të mësojmë nga Shën Jaku gatishmërinë për ta ndjekur pas Jezusin


RealAudioMP3 (21.6.06 R.V.)Të njohim jetën e Apostujve, për të mësuar se feja është rrugë që na çon drejt pjekurisë. Këtë dëshiron t’u mësojë Benedikti XVI besimtarëve përmes katekizmit të audiencës së përgjithshme. E sot në Sheshin e Shën Pjetrit Ati i Shenjtë foli për Shën Jakun, të birin e Xebedeut, që mbiquhet i Madh, rruga e jetës të të cilit simbolizon gjithë shtegtimin e jetës së krishterë.
Të ndjekësh gjurmët e Krishtit, do të thotë të braktisësh skemat që të krijojnë siguri. E për këtë – tha Benedikti XVI – duhet të ndjekim shembullin e Shën Jakut të Madh, birit të Xebedeut. Ungjijtë na rrëfejnë se ishte biri i Gjonit e se gëzonte autoritet aq të madh në Kishën e të krishterëve të parë në Jeruzalem, sa përgjigjej për veprimtarinë baritore, së bashku me Shën Pjetrin. Gjatë katekizmit, Papa shpjegoi se edhe Jaku ishte peshkatar i thjeshtë e se, ashtu si Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke lënë varkën e babain me shegertët. E zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer, sa Jezusi i quajti atë e të vëllaun “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta sepse të bijtë e Xebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh, banorët e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti u përgjigjet me një qortim. Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria për Mesinë, Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës; Jaku do ta mësojë këtë më vonë, ashtu si do të kuptojë, pasi kërkon një trajtim të posaçëm në mbarimin e kohës, se të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. Por Papa nënvizoi vetëm disa aspekte nga jeta e Apostullit:
Është vapë e madhe e prandaj dua t’ bie për shkurt, duke kujtuar vetëm dy nga këto raste - tha me të qeshur Ati i Shenjtë, fjalët e të cilit u pritën me duartrokitje.
E kam fjalën për shndërrimin mbi malin Tabor dhe agoninë në Kopshtin e Ullinjve. Janë raste që tregojnë në mënyrë të veçantë sesi nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia. Por përvoja e vërtetë, që do ta çonte drejt pjekurisë, do të ishte e dyta, ajo e Kryqit:
“Është sigurisht kjo përvojë e dytë, që i krijoi rastin të fitonte pjekurinë….. atij iu desh të parandjejë se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar vetëm me nderime e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet pikërisht në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona”.
Më pas Papa kujtoi traditën lidhur me figurën e Apostullit: atë që tregon se ai ungjillëzoi Spanjën e se trupi i tij pushon në paqe në Santiago të Kompostelës. Së fundi Benedikti XVI e përmblodhi kështu çka duhet të mësojmë nga përvoja e Jakut:
“… gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe kur na kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, ndjekjen e Tij me entuziazëm në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; gatishmërinë për ta dëshmuar me guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri në dhurimin jetës”.
E, duke lënë mënjanë tekstin zyrtar, Papa e përfundoi katekizmin me këto fjalë:
“Rruga jo vetëm e jashtme, por sidomos shpirtërore nga Mali i Shndërrimit në Malin e Agonisë simbolizon gjithë shtegtimin e jetës së krishterë ndërmjet persekutimit të botës e ngushëllimit të Zotit, siç thotë edhe Koncili II i Vatikanit. Duke ecur pas Jezusit, si Shën Jaku, e dimë, edhe ndër vështirësi, se jemi duke ecur në rrugë të drejtë”.
Në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve, Ati i Shenjtë kujtoi solemnitetin e Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit, që do të kremtohet të premten e ardhshme. Është festa në të cilën, në mënyrë të posaçme, lumnojmë dashurinë e Hyjit – pohoi Papa – e prandaj lutemi që të gjithë njerëzit ta kremtojnë me paqe e gëzim.
Së fundi Benedikti XVI i nxiti të rinjtë, të sëmurët e bashkëshortët e sapomartuar, të pranishëm në audiencë, të kërkojnë ndërmjetësimin e Shën Luigj Gonzagës, që Kisha katolike e kremtoi sot. Shembulli i Shenjtit – tha Papa - na ndihmoftë ta vlerësojmë virtytin e pastërtisë ungjillore, t’i përballojmë vuajtjet duke gjetur ngushëllim në Krishtin e kryqëzuar e na priftë drejt një dashurie gjithnjë më të thellë për Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.