2006-06-20 17:28:34

Të investohet në mirëpritje për të favorizuar integrimin: opinioni i Jesuit Refugee Servic mbi fenomenin e refugjatëve, pas thirrjes së Benediktit XVI


(20.6.2006 R.V.)“Refugjatët mund të integrohen plotësisht, në se mirëpriten në vendet ku kërkojnë strehim” – ky është opinioni i shprehur menjëherë pas thirrjes të Benediktit XVI nga “Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët’ (Jesuit Refugee Servic), organizëm i cili merret me këtë fushë.
“Një situatë e dhimbshme, që kërkon vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare”. Kështu e përshkroi Benedikti XVI fenomenin e atyre që largohen nga vatrat, shpesh për shkak të situatave dramatike, për të kërkuar një fat më të mirë ndër vende të tjera. Në prag të Ditës Botërore për Refugjatët, që u kremtua sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, Papa bëri thirrje të mirëpriten ata që detyrohen të ikin nga toka e tyre, për të shpëtuar nga forma të rënda të ushtrimit të dhunës. E më pas, Ati i Shenjtë e nxiti posaçërisht bashkësinë kishtare ta dëshmojë e para solidaritetin ndaj refugjatëve. Ndërmjet institucioneve katolike që i kushtohen prej vitesh kësaj veprimtarie, është Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët” (Jesuit Refugee Servic). Drejtori i Shërbimit për Italinë, Atë Gjovani Lamana, na flet për thirrjen e Papës dhe për punën e etërve jezuitë me refugjatët:

Përgjigje: - Thirrja e Atit të Shenjtë tingëllon si ftesë që na drejtohet për të vijuar impenjimin e marrë që prej 25 vjetëve, duke e kryer me shpresë e entuziazëm të ri. Puna jonë bëhet çdo ditë e më e rëndë. Lëvizim në rrethana gjithnjë më të vështira, në një Evropë të mbyllur, të kthyer në fortesë, në të cilën shumica e parave shpenzohen jo për t’i mirëpritur refugjatët, por për t’iu kundërvënë këtij fenomeni. E megjithatë, faktet tregojnë se nuk ia dalin e nuk do t’ia dalin mbanesh ta ndalojnë. Ia vlen, prandaj, që këto para të shpenzohen për t’i pritur me dinjitet njerëzit që detyrohen të ikin, duke rrezikuar jetën, në përpjekjen për ta shpëtuar atë në Itali ose në Evropë.

Pyetje: - A mund të na flisni konkretisht për veprimtarinë e Qendrës Astali dhe të Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët”?

 
Përgjigje: - Për sa i përket ‘Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët’, puna bëhet si në kampet e refugjatëve, ashtu edhe atje ku arrijnë, pasi të kenë ikur nga vendet e tyre, pra në mbarë Evropën, madje edhe në qendrat e burgimit. Veprimtaria është e përhapur në të gjithë botën, në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR (Komisariatin e Lartë për Refugjatët), organizëm i Kombeve të Bashkuara që merret posaçërisht me refugjatët.

Pyetje: - Lidhur me UNHCR , statistikat e fundit të publikuara nga Agjensia e OKB-së flasin për shifra në rënie lidhur me fenomenin. Sipas jush, kjo është arritur në saje të përmirësimit të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, apo kemi të bëjmë me ndonjë faktor tjetër?
Përgjigje: - Në punën tonë të përditshme – e cila përfshin shërbimin, mencën, dushin e ambulancën, që vemë në shërbim të refugjatëve të Romës, ne vijojmë të takojmë një numër të madh njerëzish, të cilët vijnë për herë të parë në Itali dhe kërkojnë strehim politik. Nuk kemi të dhëna të sakta për fenomenin në Itali, gjithsesi për rënien e numrit të refugjatëve mund të kenë ndikuar disa faktorë: në se, për shembull, Kuesturat nuk pranojnë kërkesa për strehim politik, në fund të fundit sigurisht do të vërehet pakësimi i numrit të njerëzve që e kërkojnë këtë strehim. Sa njerëzve u është njohur konkretisht e drejta për të kërkuar strehim politik, si realizohet kjo në vendet ku zbarkojnë e ç’informacion jepet - janë pikëpyetje që për ne mbeten gjithnjë aktuale e që mund të shërbejnë edhe për të shpjeguar pakësimin e numrit të refugjatëve dhe të kërkesave për strehim politik.

Pyetje: - Në se do t’ju duhej të shpjegonit ndryshimin që ka pësuar fenomeni i refugjatëve dhe i të shpërngulurve në krahasim me të kaluarën, cili do të ishte mendimi juaj?
 Përgjigje: - Në këndvështrimin tonë, themi se ia vlen të merret mundimi për t’i pritur me dinjitet këta njerëz, të cilëve ky dinjitet u shkelet. Jemi thellësisht të bindur se kur flitet për integrim, integrimi duhet të nisë që në fazën fillestare, që kur arrijnë: në se një njeri pritet denjësisht, mund të flitet mbi baza reale edhe për integrimin e tij të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.