2006-06-20 18:05:16

Lajme shoqërore-politike: 20 qershor


(20.6.’06.R.V.)RealAudioMP3 15 persona u vranë nga një sulm ajror amerikan në veri të Bagdadit. Dëshmitarët thanë se të gjitha viktimat i përkisnin së njëjtës familje dhe se ishin bujq. Gjithashtu në kryeqytet nuk munguan as atentatet e rebelëve. Një kamikaze u hodh në erë në mes të një turme të moshuarish, ndërsa ushtria amerikane bëri të ditur se u gjenden trupat e dy ushtarëve marrë peng nga Al Kaeda javën e kaluar. Nuk dihet ende fati i 4 diplomatëve rusë, që së bashku me ushtarët amerikanë gjendeshin në duar të rebelëve.


Autoritetet pakistane vendosën të dërgojnë në zonën e Kurrumit trupa paraushtarake për të dhënë fund një beteje të vërtetë për ujin ndërmjet dy fiseve kundërshtare në afërsi të kufirit me Afganistanin. Në këto përleshje deri tani kanë vdekur 5 persona.


“Irani duhet të braktisë çdo ambicje për të prodhuar armë bërthamore.” Kështu u shpreh presidenti amerikan Xhorxh Bush duke folur dje në Akademinë e Marinës Tregtare në Nju Jork. “Në rast se nuk bashkëpunon Teherani do të izolohet gjithnjë e më shumë nga bota dhe do të ketë sanksione politike ndaj tij.” paralajmëroi presidenti Bush.


Zëdhënësi i presidentit palestinez Abu Mazen tha sot se presidenti i ka kërkuar të gjitha grupeve të Hamasit të ndalojnë sulmet me raketa kasam kundra shtetit hebraik. Ndërkaq Partia Al Fatah e presidentit Abu Mazen vijon bisedimet për një marrëveshje paqeje me Hamasin.


Japonia parashikon një përgjigje të ashpër nëse Korea e Veriut do të provojë raketën e re, e cila sipas burimeve të ndryshme do të jetë në gjendje të mbërrijë deri në Alaskë. Ndërsa sekretarja e shtetit amerikan Kondoliza Rajs e vlerësoi hedhjen e raketës nga ana e Koresë së Veriut si një provokim të rëndë.


Në kuadrin e bisedimeve për statusin e Kosovës presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku u pritën në Uashington nga sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs.
Gjatë takimit përfaqësuesit kosovarë kërkuan pavarësi të plotë dhe të pakushtëzuar për Kosovën, ndërsa Rajs tha se politikanët kosovarë duhet të jenë më fleksibël në lidhje me të ardhmen e vendit të tyre si edhe të krijojnë besim te të gjitha pakicat kombëtare të pranishme në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.