2006-06-17 17:08:36

Rubrika “Shenjtorët e javës”


(18.6.2006 R.V.)Sot, në të dielën XI të kohës gjatë vitit kishtar, në shumicën e vendeve të botës, Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit.
Shenjtorët Marku e Marçelini, martirë romakë; Shën Romualdi abat, themelues i Kamaldolezëve; Shën Gjyliana Falconieri dhe Shenjtorët Gjervazi e Protazi, martirë, që do të përkujtohen nesër, na kujtojnë se Jezusi, duke e kapërcyer parimin e Besëlidhjes së Vjetër: ‘sy për sy e dhëmb për dhëmb’, na mëson parimin e ri të dashurisë, që e përjashton ushtrimin e dhunës.
Të martën e ardhshme do të përkujtohet Shën Silveri, papë e martir. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se besimi duhet të jetë përgjigje e lirë që i jep zemra njerëzore Zotit, pa pritur kurrfarë shpërblimi.
Shën Luigj Gonzaga, jezuit, Pajtor i rinisë katolike, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton porosinë e Jezusit që të luftojmë çdo ditë kundër tundimit të hipokrizisë, duke e pasur të qartë se lutja, agjërimi e lëmosha kanë vlerë vetëm në se bëhen për Zotin e për të afërmin, e jo sa për sy e faqe.
Të enjten është festa e Shën Paolinit, ipeshkëv i Nolës dhe e Shenjtorëve Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit dhe Tomas Mor, martirë anglezë. Në liturgjinë e festës së tyre kujtojmë se njeriu i drejtë i jep lumni Zotit si me jetën, ashtu edhe me vdekjen e vet.
Të premten, pastaj, do të kremtohet solemniteti i Zemrës së Krishtit. Liturgjia e festës na fton të shuajmë etjen tonë shpirtërore në burimet e shëlbimit e të kumtojmë dashurinë që Zoti ka për secilin prej nesh, dashuri që gjen shprehjen e vet më të lartë në Zemrën e shporuar të Jezu Krishtit.
Të shtunën –një tjetër festë e madhe: ajo e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, një nga shenjtorët më të njohur, që i përgatit rrugën Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.