2006-06-17 16:43:01

Nga ngjarjet e ndryshme të Kishës në botë


(18.6.2006 R.V.)Bashkimi Evropian do të financojë kërkimet shkencore mbi qelizat staminale embrionale. Ky është vendimi që mori të enjten e kaluar Parlamenti i Strasburgut, duke miratuar programin e kërkimeve shkencore për periudhën 2007- 2013. Në sallë pati epërsi teksti i miratuar që më parë nga Komisioni në favor të financimit të kërkimeve shkencore mbi embrionet.
“Dinjiteti i njeriut nuk varet e nuk duhet të varet nga vendimet e njerëzve të tjerë”. Kështu, në një Komunikatë, publikuar menjëherë pas kësaj ngjarjeje të hidhur, ipeshkvijtë evropianë, duke kujtuar thirrjet e Papës për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, pohojnë se janë plotësisht në kundërshtim me shkatërrimin e embrioneve njerëzore.
 
Të enjten e kaluar në Brazil u shpall i lum Atë Eustakio Van Lieshot, lindur në vitin 1890, vdekur në vitin 1943. Rregulltar me origjinë holandeze i Zemrës së Krishtit e të Zojës, e kaloi një pjesë të mirë të jetës duke shërbyer si misionar në Brazil. Iu kushtua kryesisht shërbimit të të varfërve e të sëmurëve, shumë nga të cilët i shëroi, duke tërhequr në Kishë turma besimtarësh.
Kremtimin me ritin e lumnimit në “Estadio do Mineirao” të Belo Horizonte, e kryesoi kardinali Hosè Saraiva Martins, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
***
Ipeshkvijtë e Eritresë kërkojnë nga qeveria të mos i rekrutojë meshtarët, as seminaristët, në sa përqëndrohen gjithnjë më shumë trupa në kufirin, aq të diskutuar, me Etiopinë, ku ekziston rreziku të nisin akte të reja dhune. Prelatët shpjegojnë se shërbimi ushtarak - i detyrueshëm në vend për burrat nën 40 vjeç – nuk është i përshtashëm për rolin e klerit.
 
Në Kolombi filloi punimet seminari i parë biblik për ipeshkvijtë. Qëllimi i kësaj nisme është të freskohen njohuritë mbi Shkrimin Shenjt, për t’ua transmetuar sa më mirë besimtarëve pasuritë e pakufishme të fjalës hyjnore.
Vihet kështu në jetë porosia e Kushtetutës dogmatike të Konçilit II të Vatikanit “Dei Verbum”, që e fton klerin të jetë gjithnjë i lidhur ngusht me Shkrimin Shenjt.

Në Indi po studiohet një projekt-ligj që lejon eutanazinë. Konferenca ipeshkvnore vendase kritikon haptazi vrasjen e asistuar dhe thekson se mjekësia duhet ta mbrojë jetën e jo ta shkatërrojë atë.
Është hera e parë në historinë e Indisë që flitet për një ligj, i cili lejon eutanazinë.

Duke pasur parasysh interesimin e jashtzakonshëm për Kampionatin Botëror të Futbollit, Konferenca Ipeshkvnore angleze filloi në mjetet e komunikimit një fushatë, përmes së cilës, duke i krahasuar meshtarët me futbollistët, synon t’i nxisë të rinjtë të reflektojnë për thirrjen meshtarake.
Të gjithë e dinë – shpjegon përgjegjësi i zyrës për thirrjet meshtarake – se futbolli zë një vend të rëndësishëm në jetën e shumë të rinjve. E për t’u bërë futbollistë profesionistë duhet përkushtim, pasion, vite të tëra përgatitje, durim e lojë squadre. Meshtari ka shumë tipare të përbashkëta me futbollistin, veçse nuk është në shërbim të lojës, por të një misioni shumë më fisnik: në shërbim të Zotit e të njeriut. Kjo ngjashmëri vihet në dukje, që meshtarët e ardhshëm ta kuptojnë më konkretisht thirrjen e tyre meshtarake.
 
Respekti për kulturat e fetë duhet të jetë në bazë të dialogut ndërmjet popujve. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Jozef Vesolovski, nunc apostolik e kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në fjalimin, mbajtur në Alma Ata, në Kazakistan, gjatë konferencës së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE). Tema e takimit, që përfundoi të enjten e kaluar, ishte “Të promovohet mirëkuptimi ndërkulturor, ndërfetar e ndëretnik”.

Në Kinë, gjatë tre muajve të fundit janë shuguruar një numër i madh kishash e kapelash, ndërmjet të cilave, Kisha e re kushtuar Zemrës së Krishtit në dioqezën e Xia Men, me një sipërfaqe prej 2. 500 metrash katrore, e pajisur me një kompleks ndërtesash, që krijojnë kushte për zhvillimin e punës baritore në fusha të ndryshme. Një shesh qëndror në Nançang, provincë e Jangxi, u pagëzua me emrin e jezuitit italian, Atë Mateo Riçi, misionar i shquar në Kinë.
 Për të ndihmuar njerëzit që kërkojnë strehim politik dhe të burgosurit, lindi koalicioni ndërkombëtar për refugjatët dhe të burgosurit. Organizohet nga Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, i cili të premten e kaluar e paraqiti organizmin në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.