2006-06-15 19:20:03

Në muajin kushtuar Zemrës së Krishtit, Benedikti XVI thekson se dashuria e krishterë është konkrete


(15. 06. 06 R. V.)Muaji i qershorit është tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit: ky devocion nisi të përhapjej aty nga gjysma e dytë e 1600-tës përmes veprës së Margeritës Maria Alakok: por rrënjët e kësaj përshpirtërie janë shumë më të thella: fillojnë atë ças kur një ushtar romak ngulte heshtën e tij në brinjët e Jezu Krishtit të mbërthyer në kryq, duke hapur një plagë nga e cila gurroi gjak e ujë, gurroi dashuria plot mëshirë e Hyjit. Është, siç e thekson shpesh Benedikti XVI, një dashuri shumë konkrete, pikërisht sepse Zoti u mishërua, u bë njeri. E Papa edhe kohët e fundit, gjatë një takimi të dioqezës së Romës, i nxiti besimtarët të mos kumtojnë një kristianizëm pa mish e pa gjak, pa vepra, që nuk është në gjendje ta prekë njeriun drejt e në shpirt.
Benedikti XVI na fton të zbulojmë bukurinë dhe gëzimin e fesë, duke na treguar edhe rrugën: veprat konkrete. “Dashuria për të afërmin – pohon Papa – është sot, më shumë se kurrë, impenjim konkret:
I krishteri nuk kënaqet vetëm me fjalë e as me ideologji të rreme, por kujdeset ta ndihmojë vëllaun nevojtar duke e vënë vërtetë në lojë gjithë vetveten, pa u mjaftuar vetëm me ndonjë vepër të mirë”.Papa i nxit të gjithë besimtarët ta dëshmojnë me guxim Ungjillin para botës së sotme, duke u çuar shpresën të varfërve, të vuajturve, të braktisurve, të dëshpëruarve, atyre që kanë etje për lirinë, për të vërtetën, për paqen. Duke i bërë mirë të afërmit e duke punuar për të mirën e përbashkët – nënvizon Ati i Shenjtë – dëshmoni se Zoti është dashuri. Nuk është fjala për aktivizëm të pastër, për filantropi të thjeshtë ose për solidaritet të zakonshëm. Në të vërtetë njeriu nuk mundet vetëm të dhurojë, duhet edhe të marrë: duhet të vijojë gjithnjë ta shuajë etjen në atë burim, nga i cili gurrojnë lumej uji të gjallë, dmth në Jezu Krishtin, nga zemra e shporuar e të cilit shpërthen dashuria e Zotit. E gjithçka nis nga heshtja, nga lutja, nga siguria se Zoti do të na dojë me një dashuri plot pasion, shumë më të madhe se pabesitë tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.