(14.6.'06. R.V) Elizeu, emri i të cilit ka kuptimin “Zoti shpëton”, jetoi në
Izrael në shekullin IX para Krishtit. Zoti e zgjodhi të ndiqte Elinë, që e shuguroi,
para se të zhdukej misteriozisht. Elizeu mori pjesë aktive në ngjarjet më të rëndësishme
politike të popullit të vet, përmes dhantisë së profecisë, e mund të konsiderohet
mrekullibërësi më i madh ndërmjet profetëve të Besëlidhjes së Vjetër. Profet e jo
shkrimtar, ashtu si mësuesi i tij, Elia, ai mori pjesë në shqetësimet e izraelitëve
gjatë luftës kundër moabitëve dhe kundër aramejve. “Elia shkoi ta kërkonte Elizeun”
– lexojmë në Librin e Mbretërve – e e gjeti duke lëruar tokën; kishte para vetes dymbëdhjetë
pendë qé; ai lëronte me pendën e dymbëdhjetë. Si mbërrijti tek ai, Elia i hodhi
mantelin e vet. Atëherë Elizeu la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: “Më lejo të shkoj
për të përqafuar babain tim e nënën time, pastaj do të të ndjek pas”. Elia iu përgjigj:
“Shko e kthehu shpejt, sepse ti e di pse të kërkova!”. Elizeu, duke u larguar,
mori një pendë qé e i theri; e zjeu mishin me drurin e parmendës e ua dha ta hanin
shokëve të punës. Pastaj e ndoqi pas Elinë, duke u vënë në shërbim të tij. Me këtë
gjest kuptimplotë, bujku i pasur deshi t’i tregonte mësuesit të vet se ishte gati
të hiqte dorë nga gjithçka, për t’iu përgjigjur plotësisht misionit të tij profetik.Elizeu
Profet vdiq rreth vitit 790 para Krishtit dhe u varros pranë Samarisë, ku në kohën
e Shën Jeronimit ishte ende varri i tij, i cili më pas u dhunua nga Juliani apostat.
Megjithatë, disa nga reliket e tij shpëtuan dhe u mbartën në Aleksandri, në Kostantinopojë
e Ravenë, ku nderohen edhe sot.