2006-06-14 18:04:13

Kisha e Romës dhe e Kostantinopojës janë vërtetë motra në saje të lidhjes vëllazërore ndërmjet Shën Pjetrit e Shën Andreut, Apostuj: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, në përfundim të së cilës i ftoi besimtarët të marrin pjesë në Meshën dhe në proçesionin e Korpit të Krishtit


(14.6.2006 -RV)Lidhja e gjakut ndërmjet Shën Pjetrit Apostull dhe vëllaut të tij, Andreut, ungjillëzues i popujve grekë, është edhe sot, ashtu si para dymijë vjetësh, shenjë që i bën vërtetë motra Kishën e Romës me atë të Kostantinopojës. Ky është edhe mësimi kryesor i katekizmit të sotëm të Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme, që u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 35 mijë besimtarëve e shtegtarëve. Audienca përfundoi me ftesën e Papës për të marrë pjesë në proçesionin e Korpit të Krishtit që, sipas programit, do të kremtohet nesër nëpër rrugët e qendrës së Romës, pas Meshës Shenjte në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.
Pas Pjetrit dhe përvojës së tij të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai, Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë, takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i një Apostulli tjetër, të cilit Papa ia kushtoi katekizmin e sotëm. Pas Shën Pjetrit, me figurën e të cilit hapi ciklin e ri të katekizmit kushtuar 12 Apostujve, sot Benedikti XVI u ndalua tek figura e Shën Andreut, apostullit që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin e bashkësive të para të krishtera, por mbi të gjitha, që do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve, duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine.
“Andreu, pra, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Pikërisht mbi këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi, përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive të Romës e të Kostantinopojës, Kisha vërtetë motra”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, i cili më pas përmblodhi imtësisht fragmentet e Ungjijve që flasin për veprimtarinë apostolike të Andreut. Përmes kësaj veprimtarie mund të njohim së afërmi personalitetin e Apostullit, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke i krijuar kështu – shpjegoi Benedikti XVI – mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve. E duke e kujtuar këtë ngjarje – pohoi Papa – mund të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme e të vështira. Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq – mbi kryqin në formë iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm për t’u bërë një me Krishtin.
“Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit. Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë. Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë e të vdekjes sonë”.
Si zakonisht, para e pas audiencës, Benedikti XVI u rrethua nga dashuria e 35 mijë personave, që e pritën dhe e ndoqën fjalën e tij në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas përmbledhjes së katekizmit, sot në 10 gjuhë të ndryshme – Papa, ndërmjet tjerësh, përshëndeti anëtarët e Veprimit Katolik të Aversës, duke folur në dialektin napoletan, e më pas u ndalua tek solemniteti i nesërm i Korpit të Krishtit:“Festa e Korpit të Krishtit është rast i përshtatshëm për të thelluar fenë dhe dashurinë ndaj Eukaristisë. Nesër, si çdo vit, do të kremtojmë, në orën 19. 00 Meshën Shenjte në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran. Pas Meshës do të vijojë proçesioni solemn që, duke përshkuar Rrugën Merulana, do të përfundojë në bazilikën e Shën Marisë së Madhe. E ftoj bashkësinë e krishterë të bashkohet në këtë akt feje të thellë rreth Eukaristisë, që përbën thesarin më të çmuar të Kishës e të njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.